Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar mjete monetare të padeklaruara dhe të fshehura gjatë një kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë.
Rasti ka ndodhur më 18 gusht, kur gjatë kontrollit janë gjetur 12 mijë e 570 euro dhe 5 mijë e 900 franga zvicerane, me vlerë të përgjithshme prej 18 mijë e 841.74 euro.
Paratë janë ndaluar dhe evidentuar nga zyrtarët doganorë, ndërsa rasti është iniciuar për trajtim të mëtejmë nga njësitë kompetente të Doganës së Kosovës.
Dogana ka rikujtuar se personat që hyjnë ose dalin nga Kosova janë të obliguar të deklarojnë paratë, instrumentet e negociueshme apo metalet dhe gurët e çmuar nëse vlera e tyre arrin ose tejkalon 10 mijë euro.
