Janë dorëzuar nënshkrimet për mbajtjen e Kuvendit të Degës së LDK-së në Prizren, ku pritet të shqyrtohet shkarkimi i kryetarit të degës, Driton Selmanaj.
Sipas burimeve të Kosova.info, nënshkrimet janë dorëzuar në Prishtinë dhe në Prizren, ndërsa tash pritet të nisë procedura për mbajtjen e Kuvendit të Degës.
E njëjta media raporton se kërkesa për shkarkimin e Selmanajt lidhet me rezultatet e dobëta të LDK-së në Prizren në zgjedhjet e njëpasnjëshme, si dhe me pakënaqësitë e brendshme rreth mënyrës së menaxhimit të degës.
Në mesin e arsyeve të përmendura nga nënshkruesit janë edhe pretendimet për sabotim të zgjedhjeve parlamentare të qershorit, si dhe mungesa e mbështetjes së mjaftueshme nga asamblistët e LDK-së në Prizren.
Selmanaj është kryetar i Degës së LDK-së në Prizren dhe në të kaluarën ka mohuar publikisht pretendimet për përçarje brenda degës, duke deklaruar se LDK-ja në Prizren është e bashkuar.
Ndërkohë, LDK-ja në Prizren aktualisht është pjesë e koalicionit me PDK-në në nivel komunal.
Pas dorëzimit të nënshkrimeve pritet që procedurat të zhvillohen gradualisht dhe më pas të caktohet mbajtja e Kuvendit, ku do të diskutohet e ardhmja e udhëheqjes së degës.
Periskopi ka provuar të kontaktojë me Selmanajn, por i njëjti nuk është përgjigjur thirrjes.
