Kosovë Kronikë Policore Lajme

Dosja e Prokurorisë: Njëri nga të dyshuarit në Prizren tentoi t’i fshihte paratë e fajdesë tek një automekanik

Gjatë ndjekjes nga policia, i dyshuari Arsim Dogani zbriti nga vetura dhe ia dorëzoi çantën me paratë e fajdesë tek një automekanik. Kështu bëhet e ditur në dosjen e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Një tentativë për të fshehur provat e fajdesë në një punëtori automekanike ka zbuluar prapaskenat e aksionit për fajde të Policisë së Kosovës në Prizren. Pasi kishin marrë 10 mijë euro nga viktima, të dyshuarit u vunë në ndjekje nga policia, ku gjatë ikjes shkaktuan aksidentimin e një zyrtari policor dhe lëndimin e një të miture, e cila ishte kalimtare rasti.

Dosja e Prokurorisë Themelore në Prizren, të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, zbardh planin e të dyshuarit Arsim Dogani për t’i shpëtuar sekuestrimit të parave të pranuara në emër të fajdesë.

Më 18 gusht, menjëherë pasi kishin marrë shumën prej 10,000 eurove të pranuara nga viktima, të dyshuarit u përballën me ndërhyrjen e Policisë së Kosovës. Me të vërejtur se po ndiqeshin, i pandehuri Arsim Dogani mori çantën me paratë e fajdesë dhe zbriti nga vetura në një fshat të Prizrenit me qëllim që të arratisej e t’i fshehte paratë.

Sipas dosjes, Dogani kërkoi ndihmë nga disa persona të tjerë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes dhe u dërgua në afërsi të Prizrenit, konkretisht te një punëtori automekanike. Aty ai ia kishte dorëzuar çantën ku gjendeshin 10,000 eurot e marra vetëm pak minuta më parë nga viktima. Megjithatë, plani për fshehjen e parave dështoi, pasi policët arritën ta lokalizonin punëtorinë dhe ta sekuestronin çantën me para, ndërsa të dyshuarit u arrestuan vetëm pak minuta më vonë.

Policia e Kosovës në komunikatën e tyre bëri të ditur se gjatë tentimit të ikjes, njëri nga të dyshuarit goditi me veturë një polic dhe një të mitur. Bëhet fjalë për Beqir Selimin.

Ndaj Beqir Selimit janë zgjeruar hetimet edhe për veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Rrezikimi i trafikut publik”. Nga të dhënat e policisë rezulton se ai ka të regjistruara 10 raste për vepra të ndryshme penale, ndërsa i pandehuri tjetër Fadil Selimi numëron 24 raste.

Prokuroria në Prizren i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për të tre të pandehurit, duke theksuar rrezikshmërinë e lartë shoqërore, këmbëngulësinë në kryerjen e veprave penale dhe rrezikun e arratisjes apo përsëritjes së veprës.