Në një intervistë për The New York Times, ministri i Jashtëm afgan, Amir Khan Muttaqi, ka thënë se talibanët e konsiderojnë të përfunduar periudhën e luftës dhe duan marrëdhënie të reja me Shtetet e Bashkuara.
“Ne e konsiderojmë kapitullin e luftës të përfunduar dhe tani duam marrëdhënie të bazuara në respekt të ndërsjellë dhe një kapitull të ri të angazhimit pozitiv”, ka deklaruar Muttaqi për NYT në Kabul.
Sipas tij, SHBA-ja mund të rihapë ambasadën në Kabul, të rikthejë praninë diplomatike dhe të investojë në Afganistan, veçanërisht në pasuritë minerare, diga dhe infrastrukturë.
Oferta për investime në minerale shihet si një përpjekje për të tërhequr administratën e presidentit Donald Trump. Afganistani ka rezerva të mëdha të pashfrytëzuara të litiumit, bakrit, hekurit dhe mineraleve të rralla, ndërsa Muttaqi e ka përshkruar qasjen e Trumpit si pragmatike dhe të orientuar drejt marrëveshjeve ekonomike.
Megjithatë, The New York Times shkruan se një normalizim i marrëdhënieve mbetet jashtëzakonisht i vështirë. Departamenti amerikan i Shtetit ka deklaruar se talibanët nuk i kanë përmbushur zotimet për luftimin e terrorizmit dhe se SHBA-ja angazhohet me ta vetëm kur kjo është në interes të popullit amerikan.
Problem i madh mbeten edhe politikat e talibanëve ndaj grave dhe vajzave. Vajzave vazhdon t’u ndalohet arsimi i mesëm, ndërsa udhëheqësi suprem i talibanëve, Haibatullah Akhundzada, përballet me urdhërarrest të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit lidhur me persekutimin e grave dhe vajzave afgane.
Pavarësisht izolimit nga Perëndimi, talibanët kanë intensifikuar marrëdhëniet me vende të tjera. Sipas NYT, gjatë vitit të fundit Kabuli ka nënshkruar partneritet në fushën e mbrojtjes me Rusinë, dhjetëra marrëveshje tregtare me vendet e Azisë Qendrore dhe po zhvillon kontakte edhe me shtete evropiane për kthimin e migrantëve afganë.
Por Muttaqi e ka bërë të qartë se një gjë mbetet jashtë diskutimit, rikthimi i ushtrisë amerikane.
“Asnjë afgan nuk dëshiron dhe nuk mund ta tolerojë praninë ushtarake të një vendi tjetër në tokën afgane, siç e ka dëshmuar historia”, ka thënë ai për The New York Times.
