Lajme Shqipëri

Iu mor nënshkrimi nga një dokument i vjetër? Behgjet Pacolli denoncon tjetërsimin e kuotave të kompanisë së tij

Kompania MABCO Constructions, e zotëruar nga Behgjet Pacolli, ka publikuar, sipas tyre, “kronologjinë e fakteve dhe veprimeve institucionale që dëshmojnë një skemë të mirëmenduar për likuidimin e kësaj kompanie nga e drejta e menaxhimit të projektit të Aeroportit të Vlorës”.

Sipas postimi të Pacollit në llogarinë e tij në Facebook, gjithçka kishte nisur më 3 prill 2025, vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri.

“19 gusht 2025 – Zbulimi i dokumenteve për transferimin e 47% të kuotave të MABCO-s Më 19 gusht 2025, MABCO mësoi rastësisht se më 3 prill 2025, vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, pranë noteres Valbona Selimi ishte hartuar një akt për transferimin e 47% të kuotave të MABCO-s në VIA. Sipas këtij dokumenti, ish-administratori i VIA-s, Valon Lluka, do t’ia transferonte këto kuota Valon Ademit, zotëruesit të vetëm 2% të aksioneve, duke e çuar atë praktikisht nga 2% në 49%”, shkroi Pacolli.

Ai ka deklaruar me ngulm se nuk ka autorizuar kurrë një tjetërsim të tillë të pronësisë.

Në reagimin e Pacollit bëhet e ditur se i gjithë dokumentacioni është mbështetur në keqpërdorimin e firmës së tij, e cila është marrë nga një dokument i vitit 2023 i hartuar për një qëllim krejtësisht tjetër.

Pacolli ka sqaruar se nuk ka qenë kurrë i pranishëm në zyrën e noteres dhe nuk ka dhënë asnjëherë autorizim për tjetërsimin e kuotave të MABCO-s.

Tutje në postimin e tij Pacolli shtoi:

Për më tepër, që nga viti 2011, z. Pacolli nuk ka të drejtë ligjore të nënshkruajë dokumente që krijojnë detyrime për MABCO-n. Të drejtën e përfaqësimit e kanë vetëm personat e regjistruar në Regjistrin Tregtar të kompanisë, ku emri i tij nuk figuron. Ky fakt është konfirmuar edhe në një procedurë gjyqësore në Lugano.
Firma e z. Pacolli rezulton të jetë përdorur gjithashtu në një vendim të pretenduar të Bordit të Drejtorëve të MABCO-s, ndonëse ai nuk ishte as anëtar, as drejtues i këtij Bordi dhe nuk kishte kompetencë për ta nënshkruar atë.
Dokumenti i transferimit u mbajt i fshehtë dhe ekzistenca e tij u zbulua nga MABCO vetëm më 19 gusht 2025.
A kishte pasur tentativa për regjistrimin e transferimit të kvotave në QKB, Mabco nuk e din, por regjistrimi nuk ka ndodhur.
Ky është momenti nga i cili fillon zinxhiri i ngjarjeve që më pas çoi në konfliktin dhe situatën e sotme në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.