Dukagjin Nikollaj, i njohur me nofkën “Duka”, tashmë u është dorëzuar autoriteteve kosovare pas arrestimit të tij në Spanjë dhe përfundimit të procedurave të ekstradimit.
Gazeta mëson nga burime të sigurta brenda organeve të drejtësisë se Spanja ka ekstraduar drejt Kosovës të kërkuarin e shumtë nga drejtësia kosovare dhe ajo ndërkombëtare, Dukagjin Nikollaj, i njohur ndryshe me nofkën “Duka”.
Nikollaj, i cili për muaj të tërë i është shmangur prangave, është sjellë në Kosovë nën masa të rrepta sigurie pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore ndërmjet dy shteteve.
Emri i Dukagjin Nikollajt u rikthye fuqishëm në vëmendjen e opinionit publik në gusht të vitit 2023, pas përleshjes me armë zjarri në lokalin e njohur në qendër të Prishtinës, “Bon Vivant”.
Nga kjo përleshje tragjike mbeti i vrarë një person dhe u plagosën e u lënduan dhjetëra të tjerë. Nikollaj ishte përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin e armatosur dhe menjëherë pas përleshjes kishte arritur të arratisej nga vendngjarja, duke u bërë një nga personat më të kërkuar nga Policia e Kosovës.
Përveç llogarive që duhet të lajë me drejtësinë kosovare për ngjarjet në Prishtinë, Dukagjin Nikollaj është një emër i njohur prej kohësh edhe për autoritetet amerikane.
Dosja e FBI-së: Nikollaj ishte shpallur në kërkim nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përfshirje në rrjete të fuqishme të krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Sipas autoriteteve amerikane, ai dyshohet të jetë pjesë e grupeve që kanë organizuar transportimin e sasive të mëdha të drogës përmes kanaleve ndërkombëtare.
Pas një operacioni të koordinuar ndërkombëtarisht, Nikollaj ishte lokalizuar dhe arrestuar në Spanjë. Pavarësisht faktit se Spanja nuk e njeh formalisht pavarësinë e Kosovës, bashkëpunimi policor përmes kanaleve ndërkombëtare të sigurisë mundësoi që kërkesa për ekstradim të procedohej me sukses.
Sipas burimeve të Insajderit, “Duka” pritet të dalë së shpejti para gjykatës në Prishtinë për t’u përballur me akuzat që rëndojnë mbi të lidhur me rastin “Bon Vivant”, derisa tash po intervistohet në Polici.
