Botë Lajme

Tragjike: Punëtori 45-vjeçar humb jetën në kantierin e hekurudhës në Gjermani

Një punëtor 45-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht gjatë punës në një kantier të hekurudhës në Gjermani.

Sipas raportimeve të Bild, burri ishte duke kryer detyrat e tij në një kantier të Deutsche Bahn, kur u përplas dhe u shtyp nga një ngarkues me rrota. Plagët e marra ishin aq të rënda sa ai ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sakta të aksidentit. Deri tani nuk ka të dhëna që vdekja të ketë ardhur si pasojë e ndonjë vepre penale.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar edhe shërbimet e kujdesit emergjent psikologjik për punëtorët e tjerë të prekur nga ngjarja.

Aksidenti ka ndodhur në një kantier që është pjesë e një projekti të madh rehabilitimi të linjës hekurudhore Ruhr-Sieg, ndërmjet qyteteve Hagen dhe Siegen.

Punimet në zonën e Kirchhundemit, në landin Nordrhein-Westfalen, përfshijnë rinovimin e urave hekurudhore, binarëve, ndërruesve të rrugëve hekurudhore dhe masave për mbrojtjen nga zhurma. Pas përfundimit të tyre, pritet që linja të jetë më e qëndrueshme dhe më e sigurt për qarkullim.