Lajme Maqedoni Shqipëri

Kush janë dy shqiptarët që u shpallën non-grata nga Shqipëria, dyshohet se kryenin veprimtari kundër sovranitetit të shtetit

Dy shqiptarë të tjerë, nga Maqedonia e Veriut, janë shpallur non grata nga Ministria e Brendshme pasi dyshohet se kryenin veprimtari armiqësore kundër sovranitetit të shtetit shqiptar.

Burime për Report Tv, bëjnë me dije se pas propozimit të Drejtorisë së Antiterrorit, ministria e Brendshme ka futur në listën e personave të padëshiruar imamin Bekir Halimi, si edhe politikanin dhe analistin Valon (Valjon) Belja. Të dyve u është ndaluar hyrja me 10 vite në territorin shqiptar, ndërsa për Valon Beljën u lëshua edhe urdhër dëbimi.

Imami Bekir Halimi, në vitin 2016 është përjashtuar nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut pas përplasjeve me drejtuesit e institucionit. Ndërsa, Valon Belja analist politik dhe ish-aktivist politik është i njohur për komentet e tij mbi zhvillimet politike në rajon. Më herët ka ushtruar detyrën e shefit të kabinetit të Ministrit të Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.

Shpallja e tyre non grata erdhi pas informacioneve të Antiterrorit se vepronin kundër sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, sigurisë kombëtare, rendit kushtetues dhe rendit e sigurisë publike, si edhe pas dyshimeve se janë anëtarë të organizatave terroriste që përkrahin e kryejnë veprime anarkiste kundër shtetit shqiptar. Urdhri i Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari i është dërguar për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit.

Më 25 qershor, Ministria e Brendshme shpalli person non grata edhe Ikballe Huduti, një shtetase nga Kosova, e lidhur ngushtë më regjimin iranian. Me urdhër të ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, shteti shqiptar ia ka ndaluar Haudutit hyrjen në territorin shqiptar për 15 vite. Huduti njihet për lidhjet e saj me regjimin iranian të Ajatollahëve, si dhe ka bërë thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri, ndërsa para shpalljes non grata kishte postuar edhe foto e video teksa merrte pjesë në protestën para Kryeministrisë në Tiranë.