Refuzimi i PDK-së për t’u përfshirë në bisedime e ka lënë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, me një adresë, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Nëse nuk pranon gjashtë kushtet e Aleancës, bashkëpunimi me LDK-në mbetet alternativa më e mundshme për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e Presidentit.
Në këtë frymë, Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pritet të takohen sot në orën 18:00 në Kuvend për të diskutuar formimin e institucioneve të reja.
Edhe pse LVV-ja, së bashku me deputetët e komuniteteve joserbe, i ka votat e nevojshme për formimin e Qeverisë, për zgjedhjen e Presidentit situata mbetet më e ndërlikuar.
Për këtë proces, mbështetja e LDK-së konsiderohet vendimtare, por jo domosdoshmërisht e garantuar.
Brenda LDK-së ka deputetë që kanë shprehur vazhdimisht kundërshtim ndaj bashkëpunimit me LVV-në dhe që, gjatë javëve të fundit, kërkuan edhe largimin e Abdixhikut nga drejtimi i partisë.
Pikërisht këta emra mund të ndikojnë në matematikën e votave.
Të enjten, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën konstituive. Pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve, nis zyrtarisht edhe procedura për zgjedhjen e Presidentit, e cila, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të përfundojë brenda 60 ditësh.
LDK: Takimi mund të sjellë më shumë qartësi
Pas krizës së brendshme në parti, Lumir Abdixhiku rikthehet në tavolinën e bisedimeve me Kurtin. Në mes të korrikut, negociatat ishin ndërprerë pasi rreth 150 delegatë kishin kërkuar shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të LDK-së.
Nënkryetarja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, deklaroi se nevojiten diskutime intensive dhe se partia është e interesuar të kontribuojë në zgjidhjen e krizës institucionale.
Sipas saj, takimi mund të prodhojë më shumë qartësi, ndërsa theksoi se LDK-ja ka kërkesat e saj programore dhe politike.
Ajo nënvizoi se tema kryesore për LDK-në është zgjedhja e Presidentit, pasi votat e kësaj partie janë të rëndësishme në këtë proces. Vetëm nëse diskutimet shtrihen edhe te formimi i Qeverisë, atëherë do të hapen edhe ato tema.
PDK-ja mbetet në opozitë
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e refuzoi ftesën e Kurtit për takim, duke ritheksuar se partia e tij do të mbetet në opozitë.
Në përgjigjen dërguar Kurtit, Hamza kujtoi qëndrimin e bërë publik pas takimit të 10 korrikut dhe tha se, në rrethanat aktuale, PDK-ja nuk do të jetë pjesë e shumicës qeverisëse.
Ai shtoi se pret që LVV-ja dhe partitë e tjera parlamentare të arrijnë marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja.
Aleanca: Pa gjashtë kushtet nuk ka takim
Edhe Aleanca ka refuzuar ftesën për takim. Kryetari Ardian Gjini i bëri të ditur Kurtit se nuk sheh arsye për një takim të ri, pasi, sipas tij, LVV-ja nuk ka dhënë asnjë përgjigje për gjashtë kërkesat e paraqitura në korrik.
Aleanca ka përsëritur se nuk synon të bëhet pjesë e Qeverisë, por është e gatshme të ndihmojë në krijimin e institucioneve vetëm nëse pranohen kërkesat e saj.
Mes tyre janë: projekti i gazit amerikan, ndërtimi i një termocentrali të ri me thëngjill, rritja e pragut të TVSH-së në 100 mijë euro, lirimi i tokës së punuar nga tatimi në pronë, financimi i projekteve infrastrukturore të mbetura pezull dhe krijimi i një fondi prej 800 milionë deri në 1 miliard euro për investime kapitale në Prishtinë.
A dalin votat për Presidentin?
Pas tërheqjes së PDK-së dhe refuzimit të Aleancës, fokusi i Kurtit mbetet te LDK-ja.
Sipas Kushtetutës, Presidenti zgjidhet me 80 vota në dy raundet e para. Nëse kjo shumicë nuk arrihet, zhvillohet një raund i tretë mes dy kandidatëve më të votuar, ku mjaftojnë 61 vota.
LVV-ja ka 53 deputetë, ndërsa LDK-ja 18. Bashkë me 11 deputetët e komuniteteve joserbe, numri arrin në 82 vota, që në teori janë të mjaftueshme për zgjedhjen e Presidentit.
Megjithatë, kjo llogari mund të prishet nëse një pjesë e deputetëve të LDK-së refuzojnë të mbështesin një marrëveshje me LVV-në. Gjithashtu, edhe votat e disa deputetëve të komuniteteve, si Duda Balje dhe Adem Hoxha, nuk konsiderohen të sigurta.
