Botë Lajme

Pak minuta nga ulja, avioni përballet me një situatë kritike në Londër

Një avion Airbus A320 i kompanisë British Airways shpalli emergjencën “Mayday” gjatë afrimit për ulje në aeroportin Heathrow të Londrës, pasi u përball dy herë me alarme për humbje ngritjeje (stall) në një lartësi të ulët.

Incidenti, i ndodhur më 6 korrik, po hetohet nga autoritetet britanike si një “incident serioz”, një kategori që i paraprin klasifikimit si aksident ajror.

Avioni, që kryente fluturimin BA919 nga Düsseldorfi drejt Heathrow, hasi fillimisht një defekt në sistemin Air Data Reference (ADR), i cili përpunon të dhënat e lartësisë, shpejtësisë dhe parametrave të tjerë të fluturimit.

Defekti aktivizoi alarmin për stall dhe detyroi kompjuterët e avionit të kalonin në një regjim me mbrojtje të reduktuara të sistemit të fluturimit.

Ekuipazhi shpalli fillimisht sinjalin “Pan Pan”, që përdoret për situata urgjente jo kërcënuese menjëherë për jetën, ndërpreu afrimin për ulje dhe u fut në pritje për të vlerësuar problemin.

Por gjatë tentativës së dytë për ulje, në rreth 914 metra lartësi, u aktivizua sërish alarmi për stall. Sipas raportit paraprak të Air Accidents Investigation Branch (AAIB), pilotët kryen një manovër rikuperimi të konsideruar “potencialisht të fortë”, ndërsa avioni zbriti deri në rreth 670 metra.

Në atë moment, situata u përshkallëzua dhe ekuipazhi shpalli “Mayday”, sinjalin më të lartë të emergjencës në aviacion. Pavarësisht momentit kritik, avioni u ul në mënyrë të sigurt në Heathrow rreth 30 minuta më vonë, pa të lënduar dhe pa dëme të raportuara.

Ngjarja mori jehonë të madhe edhe në mediat britanike. Tabloidi The Sun, duke cituar burime anonime, raportoi se komandanti mori kontrollin e avionit pas një gabimi të oficerit të parë gjatë afrimit për ulje. Sipas të njëjtave burime, incidenti ishte pranë një “hull loss”, term që në aviacion përdoret për të përshkruar humbjen totale të një avioni.

Megjithatë, as British Airways dhe as AAIB nuk i kanë konfirmuar këto pretendime. Autoritetet kanë theksuar se vetëm hetimi zyrtar do të përcaktojë se çfarë ndodhi në të vërtetë.

Raporti paraprak thekson se hetuesit nuk kanë arritur në përfundimin se avioni ka hyrë realisht në humbje ngritjeje aerodinamike.

Deri tani është konfirmuar vetëm se alarmet u aktivizuan pas defektit në sensorët e sistemit të navigimit, ndërsa mbetet për t’u sqaruar nëse bëhej fjalë për një rrezik real apo për sinjale të gabuara të shkaktuara nga defekti teknik.

Sipas dy komandantëve të avionëve Airbus A320, të cituar nga Corriere della Sera, problemi mund të ketë degraduar funksionimin e komandave të fluturimit, duke bërë që pilotët të reagojnë me manovra të forta. Ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë që edhe treguesit e shpejtësisë në kabinë të kenë shfaqur vlera të pasakta, por kjo do të verifikohet nga hetimi i autoriteteve britanike.