Fermerët e fshatit Kovragë kanë reaguar publikisht pas dëmeve të shkaktuara nga breshri i 20 korrikut, i cili dëmtoi rëndë të mbjellurat dhe u shkaktoi humbje të mëdha në bujqësi.
Në reagimin e tyre, ata kujtojnë se Kovraga ishte epiqendra e motit të rëndë dhe se dëmet u shkaktuan brenda pak minutash.
“Përfaqësuesit e institucioneve kanë dalë në terren dhe kanë parë nga afër gjendjen. Tani fermerët presin që kjo të mos mbetet vetëm një vizitë apo një premtim i shkruar në akull e i tretur nga dielli. Nevojiten vlerësim i drejtë i dëmeve dhe mbështetje konkrete për të gjithë të prekurit”, thuhet në reagim.
Fermerët shprehen se, pavarësisht vizitave në terren, ende nuk kanë marrë mbështetjen që presin nga institucionet.
“Fermerët e Kovragës ende po e ndiejnë veten jetimë nga institucionet, duke pritur ndihmën dhe përkrahjen që u takon. Është koha që fjalët të shndërrohen në vepra. Mos i lini fermerët vetëm përballë kësaj fatkeqësie natyrore”, përfundon reagimi i tyre.
