Një ngjarje tragjike ka ndodhur të premten në Shqipëri, ku një person ka vrarë ish-vjehrrit, ndërkaq në fund ka bërë vetëvrasje.
Autori i vrasjes kishte marr peng edhe ish të fejuarën, por ajo është liruar para se autori të vriste veten.
A2cnn ka siguruar pamjet nga momenti kur Rozalinda Plaka shpëtohet nga policia teksa mbahej peng të premten nga Nertil Buzi.
Vajza shihet teksa është lënë jashtë makinës me të cilën Buzi e kishte marrë peng, ndërsa një efektiv i policisë afrohet për ta larguar nga aty.
Pavarësisht 9 orësh negociata, 35-vjeçari vrau veten, ndërsa kjo ngjarje tragjike përfundoi me tre të vdekur.
Ndryshe, në orët e para të mëngjesit të së premtes, Nertil Buzi vrau pas një konflikti ish-vjehrrin e tij dhe la të plagosur ish-vjehrrën. Pas disa orësh në sallën e operacionit, 51-vjeçarja nuk ia doli të mbijetojë në luftën me plagët e marra duke ndërruar jetë.
Ekipet RENEA mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe së bashku me Drejtorinë e Policisë së Fierit nisën negociatat me Nertil Buzin, i cili pas të shtënave me armë rrëmbeu ish të fejuarën. Fillimisht, 35-vjeçari la të lirë ish të fejuarën dhe kërcënoi se do të vriste veten.
Nëntë orë negociata nuk mjaftuan që Nertil Buzi të dorëzohej te autoritetet, duke u vetëvrarë me po të njëjtën armë që kreu krimin. Ky është automjeti ku 35-vjeçari qëndroi në arrati për më shumë se 9 orë.
Menjëherë pas ngjarjes reaguan edhe prindërit e Nertil Buzit, duke thënë se shkak i konfliktit ishin një shumë e konsiderueshme parash.
Nertil Buzi dyshohet për të shkuar kriminale edhe në Londër, pasi në vitin 2022 u mbajt peng nga disa persona për 12 ditë, duke i kërkuar familjes Buzi shumën prej 400 mijë paund në këmbim të lirisë së tij.
