Kosovë Kronikë Policore Lajme

Dështon mbledhja e KGjK-së ku pritej të shqyrtohej kërkesa e Haxhiut për dorëheqjet e gjyqtarëve serbë

Ka dështuar të mbahet mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) ku në rend të ditës ka qenë kërkesa  e ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu në lidhje me njoftimet e gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve.

Gjatë diskutimit, anëtari i KGJK-së, Bashkim Hyseni, ka kërkuar që kjo çështje të jetë pika e parë e rendit të ditës, duke kërkuar përgjigje se pse trajtimi i dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb është vonuar për kaq gjatë.

Fillimisht, mbledhjen e ka lëshuar anëtari i KGjK-së, Ahmet Imami, ndërsa pas tij janë larguar edhe anëtarët Bashkim Hyseni dhe Besnik Bislima.

Kryesuesi i KGjK-së, Rrustem Thaqi, ka njoftuar se, në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, takimi do të shtyhet për një datë tjetër.

“Meqenëse disa anëtarë e lëshuan takimin, në mungesë të kuorumit takimi shtyhet për herën e radhës. Do të njoftoheni me kohë”, tha Thaqi.