Mediumi Justice Info ka monitoruar vazhdimisht procesin gjyqësor në Hagë. Ky medium me seli në Zvicër, i specializuar në raportimin dhe analizën e drejtësisë ndërkombëtare dhe tranzicionale, ka publikuar së fundmi një artikull të gjatë me titull: “Gjykata Speciale e Kosovës: mes drejtësisë dhe mosbesimit”.
“Gjykata Speciale është fitore e madhe për narrativën serbe”, “kohëzgjatja e procedurave është shqetësuese” dhe “shumë qytetarë të Kosovës janë skeptikë ndaj punës së Gjykatës Speciale” janë disa nga mesazhet kryesore të artikullit.
“Ndërsa Gjykata Speciale e Kosovës sapo e ka shtyrë shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre ish-udhëheqësve të tjerë deri më 16 shtator, shumë qytetarë të Kosovës vazhdojnë të mbeten thellësisht skeptikë ndaj misionit dhe trashëgimisë së saj”, thuhet në fillim të artikullit.
Sipas mediumit, frustrimi me Gjykatën është rritur në Kosovë, ndërsa ajo ka ndikuar dhe riformësuar ndjeshëm peizazhin politik të vendit.
Sipas Gezim Visokës, profesor me origjinë nga Kosova i studimeve për paqen dhe konfliktet në Shkollën e Drejtësisë dhe Qeverisjes në Dublin të Irlandës, “Gjykata Speciale ka qenë një instrument gjeopolitik për disiplinimin e elitave, për balancimin e fajësisë dhe për përqendrimin te aspektet negative të luftës për çlirimin e Kosovës.”
“Dhe procesi është bërë shumë i gjatë, i kushtueshëm dhe i diskutueshëm”, i tha ai Justice Info.
Alexander Heinze, profesor i së drejtës penale, procedurës penale dhe së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Bremenit, thekson për Justice Info se qasja e Gjykatës ndaj standardit të shkakësisë mund të shërbejë si një shembull tipik në tekstet mësimore.
“Dënimet në dy raste nuk ishin të bazuara në ligjin që zbatohej në Kosovë në kohën kur u kryen krimet”, thotë profesori gjerman. Gjithashtu, sipas tij, “kohëzgjatja e procedurave është një shqetësim”.
Për Sonja Biserkon, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, krijimi i Gjykatës Speciale ishte një fitore e madhe për narrativën shtetërore serbe.
“Me mbështetjen e Rusisë, Serbia i ka instrumentalizuar Dhomat e Specializuara të Kosovës në fushatën e saj kundër Kosovës si shtet sovran”, thotë ajo.
Artikulli, i cili përmban kritika domethënëse ndaj punës së Gjykatës Speciale, është shpërndarë edhe nga dy figura të rëndësishme ndërkombëtare: Mô Bleeker dhe Jörg Polakiewicz.


Mô Bleeker është Këshilltare Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Përgjegjësinë për të Mbrojtur (Responsibility to Protect). Ky është një funksion i lartë politik dhe këshillues në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ajo u emërua në këtë detyrë nga Sekretari i Përgjithshëm António Guterres në mars të vitit 2024.
Artikullin me qasje kritike ndaj punës së Gjykatës Speciale e ka shpërndarë edhe Jörg Polakiewicz.
Jörg Polakiewicz është jurist gjerman i specializuar në të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut. Ai mban pozitën e Këshilltarit Ligjor të Këshillit të Evropës (Legal Adviser) dhe njëkohësisht është Drejtor i Drejtorisë për Këshillim Ligjor dhe të Drejtën Publike Ndërkombëtare në Këshillin e Evropës.
Artikulli i plotë: https://www.justiceinfo.net/en/161582-kosovos-special-court-between-justice-and-distrust.html

