Kosovë Lajme

Organizatat evropiane: Liria e medias në Kosovë është përkeqësuar

Liria e medias në Kosovë ka hyrë në një periudhë të qartë përkeqësimi, si pasojë e ndërhyrjeve politike, sulmeve verbale ndaj gazetarëve dhe dobësimit të pavarësisë së institucioneve mediale, thuhet në raportin e publikuar më 20 korrik nga organizatat partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurisë së Gazetarëve.

Raporti u hartua pas një misioni ndërkombëtar faktmbledhës, i zhvilluar në Prishtinë më 24-26 mars të këtij viti nga përfaqësues të tetë organizatave ndërkombëtare për lirinë e medias, përfshirë: Reporterët pa Kufij (RSF), Institutin Ndërkombëtar të Shtypit (IPI), Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediave (ECPMF) dhe Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU), me mbështetjen e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Delegacioni zhvilloi takime me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, gazetarë, redaktorë, përfaqësues të RTK-së, Komisionit të Pavarur të Mediave, sistemit të drejtësisë, organizatave të shoqërisë civile dhe diplomatë ndërkombëtarë.

Në përfundim të misionit, organizatat vlerësojnë se, ndonëse Kosova vazhdon të ketë një peizazh mediatik pluralist, nivel relativisht të ulët të sulmeve fizike ndaj gazetarëve dhe një kornizë ligjore kryesisht të harmonizuar me standardet evropiane, këto zhvillime janë zbehur nga një klimë gjithnjë e më problematike për lirinë e medias.

Raporti identifikon disa arsye kryesore për këtë vlerësim: ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili më vonë u shpall antikushtetues, problemet me financimin dhe pavarësinë e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), si dhe shtimin e sulmeve verbale dhe diskreditimit të gazetarëve nga politikanët, veçanërisht nga përfaqësues të partisë në pushtet.

Sipas raportit, këto zhvillime kanë ndikuar edhe në renditjen ndërkombëtare të Kosovës.

Në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave të Reporterëve pa Kufij për vitin 2026, Kosova renditet e 84-ta nga 180 vende, duke rënë për 28 pozita, krahasuar me vitin 2023.