Kosovë Kronikë Policore Lajme

KPK nuk lejon rikthimin e prokurorëve që kanë dhënë dorëheqje

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e së hënës, vendosi për refuzimin e kërkesave për kthim në vendin e punës të pesë prokurorëve dhe 15 anëtarëve të stafit mbështetës të komunitetit serb në Prokurorinë e Mitrovicës.

KPK-ja dërgoi tek ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, emrat e pesë prokurorëve për lirim nga detyra.

Po ashtu, në këtë takim, Këshilli shfuqizoi vendimin për pezullimin e pagave për prokurorët dhe stafin mbështetës serb, të cilët ishin larguar nga sistemi prokurorial më 2022.

Për refuzimin e tërheqjes së dorëheqjeve të ofruara nga prokurorët dhe stafi mbështetës serb, votuan katër anëtarët: Dardan Vuniqi, Visar Krasniqi, Elza Bajrami-Kastrati dhe Arlinda Muqa. Ndërkaq kundër votuan: kryesuesi Arian Gashi, Kryeprokurori i Shtetit- Zejnullah Gahsi dhe anëtari Milot Krasniqi.

Deri te ky vendim erdhi me propozim të zëvendëskryesuesit të KPK-së, Dardan Vuniqi, i cili tha se konsideron që kthimi i prokurorëve dhe stafit mbështetës që kishin dhënë dorëheqje me vullnetin e tyre, nuk gjen mbështetje në rendin juridik të Republikës së Kosovës.

“Dorëheqja, ta kemi të qartë, nuk është pezullim i mandatit, nuk është pushim nga funksioni dhe nuk përfaqëson ruajtje të vendit të punës për një kohë të pacaktuar. Por, natyrisht dorëheqja në të gjitha fazat shënon përfundimin e mandatit. Në rastin konkret, dorëheqjet janë dhënë për motive politike tashmë të ditura”, u shpreh Vuniqi.

Ai shtoi se motivet politike nuk duhet të prodhojnë pasoja juridike të cilat ligji nuk i njeh- sikurse është rikthimi automatik në detyrë pas dorëheqjes. Tha se me kthimin e tyre do të dëmtohej edhe siguria juridike dhe se i rëndësishëm është edhe parimi i paanshmërisë institucionale. Andaj, propozoi që ata të lirohen nga detyra dhe kërkesa për lirim t’i përcillet Presidentes.

Kryesuesi Arian Gashi propozoi që për këtë çështje të diskutohet në takimet e radhës, me arsyetimin se duhet konsultim me Këshillin Gjyqësor.

Sipas tij, kjo çështje është trashëguar në KPK nga Këshilli paraprak. Gashi shtoi se krahas listës me 5 prokurorët dhe 15 anëtarët e stafit mbështetës me kërkesat që t’iu tërhiqen dorëheqjet, i është drejtuar edhe një tjetër prokuror, duke rritur kështu numrin në 21.

Kryesuesi theksoi se Republika e Kosovës e ka për obligim përfaqësimin e komuniteteve, e që bazohet në marrëveshjen e Brukselit.

Ai shtoi se po ashtu duhet të përgatiten edhe materialet. Propozimi i tij u përkrah nga Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi dhe anëtari Milot Krasniqi.

Në anën tjetër, anëtarja Arlinda Muqa tha se kthimi i prokurorëve dhe stafit mbështetës serb, mund të ndodh vetëm nëse i nënshtrohen procedurave të rekrutimit. Propozoi që të mbështetet propozimi i Vuniqit që të refuzohen tërheqjet e dorëheqjeve dhe të dërgohen te Presidentja për lirim nga detyra.

Ajo tha se kjo çështje nuk duhet të trajtohet si çështje e vullnetit politik apo ndonjë komporomisi institucional, por vetëm si çështje e ligjit.

“Nga ai moment e deri më sot kanë kaluar disa vite. Çfarë dimë ne për veprimtaritë e tyre gjatë këtyre viteve? Dhe gjatë kësaj periudhe a kanë ushtruar ata funksion në institucione tjera? A kanë bashkëpunuar ata me struktura që kanë vepruar kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës? Këto nuk janë pyetje politike, por janë pyetje të domosdoshme për integritetin e sistemit të drejtësisë”, tha Muqa.

Gjithashtu, edhe anëtarja Elza Bajrami-Kastrati tha se nuk vlerëson se ka diçka për t’u diskutuar, duke shtuar se secili dha mendimin e vet, andaj propozoi që të vazhdohet me votim, pasi është kundër kthimit të tyre në sistemin prokurorial meqenëse janë larguar me vullnet duke dorëzuar dorëheqjet e tyre.

“Ne sot duhet të veprojmë konform dispozitave ligjore dhe konform Kushtetutës. Statusi i prokurorit mbrohet me ligj dhe ai vjen me detyrime të larta. Këta prokurorë kanë braktisur detyrën zyrtare, kanë bojkotuar punën që nga nëntori i vitit 2022 dhe kanë shkelur betimin për t’i shërbyer rendit ligjor të Kosovës”, tha Bajrami-Kastrati.

Propozimin e Vuniqit e përkrahu edhe anëtari Visar Krasniqi, i cili tha se e ka të pamundur gjetjen e një argumenti për t’u rreshtuar pro kthimit të prokurorëve të dorëhequr dhe stafit mbështetës serb në Prokurori.

“Jam i bindur se mosverifikimi i integritetit të tyre është problem serioz dhe unë nuk marr guxim që sot të votoj pro kthimit të tyre derisa koha do të na dëshmojë nëse këta persona kanë qenë pjesë e atyre që kolegia Arlinda i përmendi më herët”, tha Krasniqi.

Kurse, Kryeprokurori Gashi tha se mbështet qëndrimin e kryesuesit lidhur me këtë çështje. Edhe anëtari Milot Krasniqi tha se kjo çështje është më e thellë dhe më e ndjeshme.

Më pas, me katër vota për, u miratua propozimi që të refuzohen tërheqjet e dorëheqjeve të pesë prokurorëve dhe stafit mbështetës, si dhe të dërgohen tek Presidentja për lirim nga detyra.

Po ashtu, u shfuqizua vendimi për pezullimin e pagave të tyre, vendim i cili ishte marrë nga KPK-ja kur të njëjtit kishin ofruar dorëheqjet.