Kosovë Lajme

Konjufca, Kallasit: Tregojini qartë Serbisë se me deklarata të tilla s’ka BE

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i ka dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, pas deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do të kryente “spastrim etnik” në Kosovë

Në letër, Konjufca vlerësoi se distancimi i mëvonshëm i Qeverisë së Serbisë ishte vetëm formal dhe jo shprehje e sinqertë pendese.

Ai shpreh po ashtu shqetësim për reagimin e vonuar të BE-së, duke kërkuar një qëndrim më të qartë dhe më të vendosur ndaj retorikës që, sipas tij, nxit urrejtje dhe dëmton procesin e dialogut.

Konjufca po ashtu parashtroi një listë kërkesash duke kërkuar të dënojë publikisht deklaratën e ministres Snezhana Paunoviq, t’u rikujtojë autoriteteve serbe se deklarata të tilla bien ndesh me vlerat evropiane dhe të ngrejë këtë çështje në dialogun politik dhe në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Të lëshojë një dënim të qartë, të fuqishëm dhe publik ndaj deklaratës së ministres Paunoviq dhe retorikës revizioniste që ajo përfaqëson”.

“T’u rikujtojë zyrtarisht autoriteteve serbe se deklarata të tilla janë të papranueshme dhe të papajtueshme me vlerat evropiane dhe me kërkesat e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

“Ta ngrejë këtë çështje në mënyrën e duhur në kuadër të dialogut politik ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë, si dhe në procesin e anëtarësimit, në mënyrë që Beogradi ta kuptojë seriozitetin me të cilin Bashkimi Evropian trajton incidente të tilla”, ka thënë Konjufca në letrën drejtuar Kallasit.