Edhe pse e përfundoi Kupën e Botës 2010 në Afrikën e Jugut i barabartë me tre futbollistë të tjerë me nga pesë gola, sulmuesi gjerman Thomas Muller fitoi çmimin “Këpuca e Artë”, falë rregullave të FIFA-s për ndarjen e këtij trofeu.
I prezantuar për herë të parë në vitin 1982, çmimi “Këpuca e Artë” i jepet golashënuesit më të mirë të çdo edicioni të Kupës së Botës.
Fituesi i parë ishte italiani Paolo Rossi, i cili realizoi gjashtë gola në shtatë ndeshje.
Fituesi më i fundit ishte Kylian Mbappe i Francës, i cili shënoi tetë gola në Botërorin e vitit 2022, megjithëse Franca u mposht në finale nga Argjentina.
Në atë turne, Lionel Messi mbeti pas Mbappes në garën për “Këpucën e Artë”, pavarësisht se u bë futbollisti i parë që shënon në çdo fazë të një Kupe Bote, që nga prezantimi i fazës së 1/8 së finales në vitin 1986.
Katër vite më vonë, Messi kryeson aktualisht garën për “Këpucën e Artë”, pasi ka regjistruar katër asistime kundrejt tre të Mbappes, ndërsa të dy kanë nga tetë gola.
Megjithatë, gjithçka mund të ndryshojë në ditët në vijim.
Mbappe do të ketë mundësinë ta tejkalojë Messin të shtunën në ndeshjen për vendin e tretë kundër Anglisë, ndërsa kapiteni argjentinas do të kërkojë të gjejë rrugën e rrjetës në finalen e së dielës kundër Spanjës.
Nëse dy ose më shumë futbollistë e mbyllin turneun me të njëjtin numër golash, fituesi përcaktohet nga numri i asistimeve, të cilat vlerësohen nga anëtarët e Grupit Teknik të Studimit të FIFA-s.
Pikërisht kjo ndodhi në Botërorin e vitit 2010, kur Thomas Muller, David Villa, Wesley Sneijder dhe Diego Forlan shënuan nga pesë gola secili.
Megjithatë, Muller regjistroi tri asistime, më shumë se tre rivalët e tij, dhe për këtë arsye fitoi çmimin.
Nëse edhe numri i asistimeve është i njëjtë, atëherë merret parasysh numri total i minutave të luajtura gjatë turneut, ku përparësi ka futbollisti që ka luajtur më pak minuta.
Si vendoset fituesi i “Këpucës së Artë”?
Çmimi i jepet futbollistit që shënon më shumë gola gjatë fazës finale të Kupës së Botës.
Nëse dy ose më shumë futbollistë kanë të njëjtin numër golash, vendimtare bëhet numri i asistimeve.
Nëse edhe asistimet janë të barabarta, fitues shpallet lojtari që ka zhvilluar më pak minuta gjatë turneut.
