Me 9 vota pro dhe asnjë kundër apo abstenim, Zana Spahiu është zgjedhur Drejtoreshë e Përgjithshme e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), duke siguruar mandat trevjeçar në krye të transmetuesit publik.
Emërimi i saj vjen mes pretendimeve të ngritura ditë më parë në media se anëtarët e Bordit të RTK-së ishin udhëzuar nga Qeveria Kurti që ta mbështesnin pikërisht Spahiun, çka ka shtuar dyshimet se ajo ishte kandidatja e preferuar e ekzekutivit.
Zana Spahiu është bashkëshortja e aktorit Fatmir Spahiu – Bufi, i cili në tetor të vitit 2025 ishte propozuar nga kryeministri Albin Kurti për ministër të Kulturës dhe Turizmit. Megjithatë, ai nuk e mori kurrë detyrën, pasi për shkak të bllokadës në Kuvend qeveria nuk arriti të zgjidhej.
Vetë Fatmir Spahiu e kishte konfirmuar publikisht se kishte pranuar ofertën e Kurtit për të qenë ministër, duke e falënderuar kryeministrin për besimin, por duke theksuar se emërimi dështoi për shkak se qeveria nuk u votua.
Rikthimi i Zana Spahiut në krye të RTK-së ka rikthyer edhe debatet për raportet e saj me pushtetin. Ajo kishte dhënë dorëheqje në korrik të vitit 2024, pas skandalit të transmetimit në RTK të një artikulli të portalit boshnjak “Slobodna Bosna”, ku pretendonte se mediat kosovare Periskopi dhe Nacionale “financohen” nga Serbia.
Pavarësisht polemikave që e kanë shoqëruar emrin e saj, Spahiu mori mbështetje unanime nga Bordi i RTK-së, duke u rikthyer në krye të televizionit publik.
