Reagimi i shpejtë dhe ndërhyrja e guximshme e anëtarëve të Akademisë Ushtarake parandaloi një tragjedi të mundshme të dielën në qendër të Triestes, pasi një makinë që mbante një burrë 41-vjeçar përfundoi në det pranë skelës në Sheshin e Bashkimit të Italisë.
E në mesin e shpëtimtarëve ishte edhe një shqiptar. Bëhet fjalë për Marash Palushaj nga qyteti i Klinës.
Palushaj, i cili jeton dhe punon në Itali, ndërhyri menjëherë pasi pa një veturë që kishte rënë në det me shoferin ende brenda. Ai u hodh në ujë dhe, së bashku me disa kadetë të Akademisë Ushtarake të Modenës, arriti të nxirrte drejtuesin e bllokuar nga automjeti pak çaste para se ai të fundosej plotësisht.
Shoferi mori ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u dërgua në spital, ku raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Veprimi i Marash Palushajt dhe i kadetëve është vlerësuar gjerësisht nga mediat dhe autoritetet italiane, të cilat i kanë cilësuar ata si “heronjtë e ditës” për ndërhyrjen e shpejtë që shpëtoi një jetë.
