Kosovë Lajme

OJQ-të vlerësojnë se ushtruesja e detyrës së presidentes s’ka pengesa për ta dekretuar Kryeprokurorin e Shtetit

Organizatat joqeveritare që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit kanë vlerësuar se procedura është zhvilluar në mënyrë transparente, objektive dhe të barabartë për të gjithë kandidatët, duke shtuar se nuk ekzistojnë pengesa kushtetuese apo ligjore që ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ta dekretojë kandidatin e nominuar për këtë pozitë.

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha se organizata e ka vlerësuar pozitivisht mbarëvajtjen e procesit të zhvilluar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).

“Paraprakisht kemi bë një vlerësim të këtij procesi dhe ne thjesht e kemi vlerësu KPK-në për mbarëvajtjen e procesit, për zhvillimin e procedurës. Ka pas në qasje tejet transparente dhe të barabartë dhe nuk është vërejt ndonjë element qoftë i favorizimit apo edhe një element që të themi ashtu gjatë intervistimit do t’i përshtatej edhe pyetjet apo dhe procedura e intervistimit ndonjë kandidati. Sot edhe e patët edhe vetë që se përfundoi procedura e votimit të kandidatit, ka shku gjithçka sipas rregullave kushtetuese dhe rregullativave ligjore që i ka KPK sa i përket aspektit të formalizimit të procedurës dhe të propozimit, dhe tani normalisht që i mbetet presidentit të shtetit apo ushtruesit të detyrës të presidentit që ta nominoj apo dhe ta dekretoj kandidatin për kryeprokuror të shtetit. Dhe normalisht që ne si organizatë bëjmë thirrje që ky proces sa më shpejt të përfundoj dhe mos të humbim kohë, edhe Republika e Kosovës më në fund ta ketë kandidatin për kryeprokuror të shtetit sepse e dini që kjo pozitë ka një kohë të gjatë që mbetet me ushtrues detyre”, tha ai

I pyetur nëse ushtruesja e detyrës së presidentit ka kufizime në dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Bugaqku tha se aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese e kanë sqaruar këtë çështje.

“Ka aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese që e ka bo të qartë që për shkak të administrimit të procesit të drejtësisë, edhe ushtruesi i detyrës së presidentit faktikisht nuk ka ndonjë kufizim, unë besoj që nuk ka asnjë problem që thjesht ta dekretoj kandidatin për kryeprokuror të shtetit. S’ka pengesa kushtetuese ligjore për shkak se e dini ka ekzistu procesi i amandamenteve kushtetuese atëherë për zgjedhjen e presidentit dhe atëherë gjykata i ka sqaru mjaft mirë që edhe ushtruesi i detyrës së presidentit mund t’i kryej të gjitha funksionet pa asnjë problem”, tha ai.

Edhe Flamur Kabashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerësoi se procesi është zhvilluar në përputhje me standardet ligjore dhe rregullative.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi, siç edhe e keni pa në bashkëpunim me organizatat e KDI dhe FOL, ka publikuar një raport preliminar me të cilin e ka ndarë si vlerësime pozitive duke u respektuar procesi, procedurat dhe duke u respektuar standardet e përcaktuara me rregullore dhe legjislacionin në fuqi për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit”, tha ai për EO.

Kabashi tha se, ndryshe nga procesi i kaluar, kësaj radhe janë respektuar të gjitha standardet e nevojshme.

“Për dallim prej procesit të kaluar që i kemi pasur disa çështje të cilat i kemi sqaruar dhe që si rezultat i atyre mangësive e kanë komprometuar procesin dhe nuk e kanë dhënë një emër adekuat, për dallim me atë proces në këtë proces kemi sqaruar dhe kemi potencuar që janë respektuar në tërësi procedurat, ka pas barazi mes kandidatëve, ka pas objektivitet, ka pas konfidencialitet me rastin e vlerësimit të kandidatëve për kryeprokuror të shtetit dhe po ashtu procesi ka qenë transparent duke u incizuar intervistat, duke u bërë publike dhe po ashtu në çdo fazë prej momentit të shpalljes së konkursit deri sa po flasim tash KPK-ja vazhdimisht ka bërë ftesë për monitorim”, tha ai.

Ai shtoi se pas nominimit të Zejnullah Gashit nga KPK-ja, procesi tashmë kalon në Presidencë.

“Pra sot përfundoi edhe procedura sa i përket pjesës që ka pas Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Prokurorial e nominoi zotrin Gashi për kryeprokuror të shtetit, tash e kemi procedurën tek presidentja e shtetit për ta dekretuar të njëjtin. Republika e Kosovës ka mbetur me ushtrues detyre gati 5 vite, pozita e kryeprokurorit të shtetit qysh e thash në fillim të herës që është pozita më e rëndësishme brenda sistemit prokurorial që garanton funksionim dhe mbarëvajtje të duhur të sistemit prokurorial, dhe për këtë arsye siç kemi pas thirrje si organizatë më herët por edhe vetë raportet ndërkombëtare, konkretisht Raporti i Progresit, që ka ba thirrje që kjo pozitë me u plotësu pas një procesi tërësisht objektiv, transparent dhe të barabartë mes kandidatëve, për këtë arsye i nevojitet kryeprokurori i shtetit dhe është e domosdoshme dhe me një far forme urgjente që ta kemi edhe kryeprokurorin e shtetit me kompetenca të plota në drejtim të luftimit të dukurive dhe kriminalitetit në Republikën e Kosovës si instanca më e lartë brenda sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës”, tha ai.