Botë Lajme

SHBA thotë se Ngushtica e Hormuzit është “e hapur për të gjitha anijet” – Irani e shpalli të mbyllur

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit është “e hapur për të gjitha anijet”, pavarësisht se Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) njoftuan më herët sot se e kishin mbyllur këtë rrugë ujore, shkruan CNN.

“Ngushtica e Hormuzit është e hapur për të gjitha anijet që kërkojnë të kalojnë në mënyrë të ligjshme nëpër këtë rrugë ujore ndërkombëtare”, shkroi CENTCOM në një postim në X, duke shtuar: “Forcat amerikane janë të pozicionuara dhe të gatshme për të siguruar që liria e lundrimit të mbetet e garantuar, pavarësisht agresionit të pajustifikuar, ngacmimeve, kërcënimeve dhe deklaratave arbitrare të Iranit”.

“Irani nuk e kontrollon ngushticën. Qarkullimi po vazhdon”, vijon deklarata.

Më herët sot, Qendra e Përbashkët e Informacionit Detar (JMIC), e cila mbikëqyret nga Marina e SHBA-së, tha se rruga jugore e Omanit përmes Ngushticës së Hormuzit mbetet e hapur për qarkullim në të dy drejtimet. Megjithatë, ajo paralajmëroi se niveli i kërcënimit për sigurinë në këtë rrugë ujore mbetet “i lartë”.

Qarkullimi përmes ngushticës ka rënë sërish pas njoftimit të Iranit, sipas të dhënave të publikuara mëngjesin e sotëm nga agjencia për gjurmimin e trafikut detar, MarineTraffic.