Kosovë Lajme

Rriten shkurorëzimet në Kosovë, mbi 2 mijë e 100 çifte i dhanë fund martesës

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se numri i shkurorëzimeve është rritur krahasuar me një vit më parë. Rastet më të shumta janë regjistruar në Prizren, ndërsa më së shumti janë ndarë çiftet që kishin 5 deri në 9 vjet martesë.


Gjatë vitit 2025, në Kosovë janë regjistruar më shumë shkurorëzime sesa një vit më parë.

Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se gjithsej 2.192 çifte i kanë dhënë fund martesës gjatë vitit të kaluar.

Krahasuar me vitin 2024, kur ishin regjistruar 2.146 shkurorëzime, numri është rritur për 46 raste, ose 2,1 për qind. Edonëse rritja nuk është e madhe në aspektin përqindor, ajo tregon se numri i martesave që përfundojnë me shkurorëzim vazhdon të mbetet i lartë.

Sipas statistikave të ASK-së, komuna me numrin më të madh të shkurorëzimeve gjatë vitit 2025 është Prizreni, ku janë regjistruar 192 raste, që përbëjnë 8,8 për qind të të gjitha shkurorëzimeve në nivel vendi.

“Gjatë vitit 2025, janë raportuar dhe regjistruar gjithsej 2 192 shkurorëzime që paraqet 46 raste më shumë sesa në vitin 2024 (ku ishin 2 146 shkurorëzime) ose një rritje prej 2,1 %. Sipas komunës ku është regjistruar shkurorëzimi, numri më i madh i rasteve është evidentuar në Prizren me 192 shkurorëzime (8,8 %)”.

Pas Prizrenit renditet Prishtina me 175 raste, ose 8 për qind të totalit, ndërsa Peja zë vendin e tretë me 163 shkurorëzime, që përfaqësojnë 7,4 për qind të rasteve të regjistruara.

Të dhënat statistikore tregojnë se periudha më kritike për jetëgjatësinë e martesës mbetet intervali prej pesë deri në nëntë vjet. Pikërisht në këtë kategori janë regjistruar 627 shkurorëzime, ose 28,6 për qind e numrit të përgjithshëm të rasteve.

Në vendin e dytë renditen martesat që kanë zgjatur nga 10 deri në 14 vjet, ku janë regjistruar 297 shkurorëzime, ose 13,5 për qind e totalit.

Statistikat ofrojnë edhe një pasqyrë sipas grup-moshave të bashkëshortëve. Tek gratë, numri më i madh i shkurorëzimeve është regjistruar në grup-moshën 25 deri në 29 vjeç, me 463 raste, që përbëjnë 21,1 për qind të totalit.

Ndërkaq, tek burrat, grup-mosha me më së shumti raste të shkurorëzimeve është ajo 30 deri në 34 vjeç, me 464 raste, ose 21,2 për qind të numrit të përgjithshëm.