Kosovë Lajme Politikë

16 subjekte politike mbetën nën pragun prej 1 për qind të votave në zgjedhjet e 7 qershorit

Në zgjedhjet e 7 qershorit 2026, gjithsej 16 subjekte politike që garuan nuk arritën të sigurojnë as 1 për qind të votave në rang vendi.

Pjesa më e madhe e këtyre subjekteve politike u përkasin komuniteteve.

Rezultatin më të lartë mes tyre e shënoi partia turke Kosova Demokratik Turk Partisi – KDTP, e cila mori 5,709 vota, ose 0.70 për qind të numrit të përgjithshëm.

Në anën tjetër, performancën më të dobët në këto zgjedhje e pati kandidati i pavarur Esmir Kasi. Sipas rezultateve që KQZ i certifikoi të mërkurën, ai siguroi 0.03 për qind të votave, përkatësisht 268 vota.

I dyti nga fundi për nga rezultati ishte KNRP, me 0.04 për qind të votave, që do të thotë se mori mbështetjen e vetëm 355 qytetarëve të Kosovës.

Në zgjedhjet e 7 tetorit garuan 21 subjekte politike. Pragu për hyrje në Kuvend ishte 5 për qind e votave totale, ndërsa këtë nivel e tejkaluan vetëm pesë subjekte politike – Lista Serbe, Aleanca, LDK-ja, PDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Megjithatë, pjesë e parlamentit do të jenë edhe 11 deputetë nga subjekte që nuk e kaluan pragun dhe që mbetën nën 1 për qind të votave të përgjithshme. Ata sigurojnë ulëse në Kuvend falë “garancive” kushtetuese që Kushtetuta e Republikës së Kosovës ua njeh komuniteteve. Sipas saj, 10 vende në parlament u takojnë “gjithsesi” përfaqësuesve të komunitetit serb, ndërsa 10 të tjera përfaqësuesve të bashkësive të tjera etnike në vend.