Kosovë Lajme

Protestohet edhe në Kroaci për ish-krerët e UÇK-së

Më 5 korrik nga ora 18:00 do të mbahet protestë në Kroaci, për të kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Kjo, u bë e ditur nga kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati në një konferencë për media.

“Konferenca ka të bëjë më protestën e radhës e cila do të mbahet në Zarë të Kroacisë, “Liri për Çlirimtarët”. Ne e dimë që jemi në fund të procesit në Hagë ku shpresojmë që më 20 korrik do të jetë një favorizim i joni apo do të jetë në favorin tonë gjithë ajo punë që është bërë nga mbrojta dhe nga ne. Ne do ta mbajmë një protestë ditë e diel më 5 korrik në ora 18:00 të organizuar nga shqiptarët në Kroaci dhe nga kroatët”, ka thënë ai.

Gucati u ka bërë thirrje mërgatës që t’i bashkohen kësaj proteste.

“Do t’u bëjmë thirrje gjithë qytetarëve që jetojnë, punojnë e veprojnë në shtetin kroat, pra edhe mërgatës të cilët janë edhe në pushime në Kroaci apo kudo që janë që me datën 5 korrik ditë e diel në ora 18:00 në Zarë të Kroacisë t’i bashkëngjiten protestës “Liri për Çlirimtarët”. Protesta do të mbahet në Park në Zarë ku unë shpresoj se aty do të marrin pjesë edhe arbëreshët se janë dy lagje arbëreshe me vite e vite që jetojnë në Zarë ku është edhe kërkese e tyre që kanë kërkuar edhe ata ta mbajnë një protestë për çlirimtarët tonë”, ka shtuar Gucati.

Ai tha se shpreson se kjo do të jetë protesta e fundit, me besimin se çlirimtarët do të kthehen në Kosovë.