Kosovë Kronikë Policore Lajme

80 milionë euro të sekuestruara, Europoli publikon detajet nga aksioni i zhvilluar edhe në Kosovë

Mesazhet e shkëmbyera në platformën e enkriptuar të komunikimit SKY ECC kanë ndihmuar autoritetet evropiane të zbulojnë një rrjet të gjerë të krimit të organizuar që vepronte në disa shtete të Evropës, me Kosovën që dyshohet se shërbente si qendër kryesore e koordinimit të aktiviteteve kriminale.

Europoli ka publikuar detaje nga një hetim trevjeçar, i cili kulmoi me një operacion të gjerë ndërkombëtar më 9 qershor, ku u përfshi edhe Kosova.

Gjatë aksionit janë arrestuar pesë anëtarë kyç të organizatës kriminale, të cilët dyshohen për përfshirje në trafikim ndërkombëtar të drogës, keqpërdorim të dokumenteve identifikuese, posedim të armëve dhe pastrim të parave.

Sipas njoftimit të Euoporlit, në operacionin e koordinuar kanë qenë të angazhuar rreth 150 zyrtarë të zbatimit të ligjit nga disa shtete evropiane, ndërsa aksioni është mbështetur edhe nga një ekspert i Europolit për koordinimin e hetimeve dhe shkëmbimin e informacioneve ndërmjet autoriteteve partnere.

Sipas të dhënave të publikuara nga Europoli, anëtarët e grupit kriminal kanë përdorur platformën e enkriptuar SKY ECC për të komunikuar dhe koordinuar aktivitetet e tyre të paligjshme në vende të ndryshme të Evropës.

Hetimet kanë zbuluar se komunikimet përfshinin organizimin e dërgesave të drogës, lëvizjen e parave dhe udhëzimet operative për anëtarët e rrjetit.

Autoritetet evropiane bëjnë të ditur se drejtuesit kryesorë të organizatës vepronin nga Kosova, prej nga koordinonin transportin ndërkombëtar të narkotikëve, menaxhonin rrjetin kriminal dhe organizonin skemat e pastrimit të parave të përfituara nga aktivitetet ilegale.

Sipas Europolit, transmeton klankosova.tv, operacioni i realizuar më 9 qershor përfaqëson vetëm fazën e fundit të një hetimi të gjatë dhe kompleks, i cili kishte në fokus analizimin e komunikimeve të koduara të grupeve kriminale në platformën SKY ECC.

Hetimi ka prodhuar rezultate të konsiderueshme që nga fillimi i tij: autoritetet kanë hetuar gjithsej 42 persona të dyshuar për përfshirje në aktivitetet kriminale, ndërsa janë realizuar 76 bastisje në lokacione të ndryshme të lidhura me rrjetin.

Gjatë operacioneve hetimore janë sekuestruar gjithashtu asete me vlerë të përgjithshme prej rreth 80 milionë eurosh, duke përfshirë prona, automjete, para të gatshme dhe pasuri të tjera që dyshohet se janë siguruar nga aktivitetet kriminale.

Në aksionin ndërkombëtar kanë marrë pjesë autoritetet ligjzbatuese nga Belgjika, Franca, Kosova dhe Holanda, të cilat kanë bashkëpunuar ngushtë me Europolin për identifikimin, hetimin dhe goditjen e rrjetit kriminal.