Kosovë Lajme

Ndahet nga jeta veterani i arsimit dhe i Luftës së UÇK-së, Prof. Faik Dodaj

Me dhimbje është pranuar lajmi për ndarjen nga jeta të aktivistit të hershëm, veteranit të arsimit dhe veteranit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin, Prof. Faik Dodaj.

Lajmi është bërë i ditur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Deçan, e cila e ka vlerësuar kontributin e tij ndër vite në arsim dhe në përpjekjet për lirinë e vendit.

OVL e UÇK-së ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Dodaj, miqtë, shokët dhe bashkëluftëtarët e të ndjerit.

Ceremonia lamtumirëse për Prof. Faik Dodajn do të zhvillohet sot, më 8 qershor.

Akademia përkujtimore do të mbahet në orën 13:00 në Sallën e Asamblesë Komunale në Deçan, ndërsa varrimi do të bëhet në Kompleksin e UÇK-së në Baballoq të Deçanit, në orën 16:00.

“Pjesëmarrja juaj nderon veprën dhe kontributin e tij, si dhe gjakun e Dëshmorëve dhe luftën e drejtë të UÇK-së”, thuhet në njoftimin e OVL-së së UÇK-së në Deçan.