Kosovë Lajme Politikë

Zgjedhjet e para të pasluftës u mbajtën më 28 tetor 2000, në Kosovë numri i votueseve ishte 900 mijë

Votimet e para në Kosovën e çliruar nga Serbia ishin mbajtur me 28 tetor 2000.

Ato nuk ishin për nivelin nacional, por për atë lokal.

Numri i votuesve ishte rreth 900 mijë, shumica dërmuese e të cilëve shqiptarë.

Serbët kishin refuzuar pjesëmarrjen në këto zgjedhje, duke u detyruar kështu të ndjekin urdhrat që u vinin nga Beogradi.

Për të votuar në to, ishte zhvilluar paraprakisht një proces i regjistrimit, që kishte zgjatur deri kah fundi i tetorit të këtij viti.

Shqiptarët i konsideronin këto zgjedhje si një hap të madh drejt ëndrrës së tyre për pavarësi nga Serbia, që pasonte çlirimin e një viti më parë.

Të gjitha 20 partitë që ishin regjistruar të merrnin pjesë në këto votime, me rreth 5 mijë e 500 kandidatë, ishin pro pavarësisë për Kosovën.

Gara zhvillohej ndërmjet LDK-së së Ibrahim Rugovës, PDK-së së Hashim Thaçit dhe AAK-së së Ramush Haradinajt.

Partia e parë kishte fituar më së shumti ulëse në 30 kuvendet komunale për të cilat ishte votuar.

Këto zgjedhje i kishte organizuar Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila oshte pjesë e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) që pati qeverisur me vendin nga qershori 1999 deri në shpalljen e pavarësisë, më 2008.

Votimet në 1 mijë e 464 qendra, ishin monitoruar nga rreth 5 mijë e 500 mbikëqyrës ndërkombëtarë e vendorë.