Kosovë Lajme Politikë

Asnjë investim në kompleksin memorial në Prekaz, Albin Kurti i përdorë renderat e kompanisë që i prezentoi para dy vjetësh

“Ju edhe në përmendore të dëshmorëve në tendera vjedhni. Jeni hajna tipik, hajna klasik”.

Kjo ishte një nga deklaratat më të ashpra që Albin Kurti kishte bërë si opozitar në Kuvendin e Kosovës, duke akuzuar qeveritë e kohës për keqpërdorime edhe në projektet që lidhen me dëshmorët dhe luftën çlirimtare.

Sot, pesë vite pasi mori pushtetin me premtimin për ta bërë ndryshe qeverisjen, Kurti po përpiqet ta paraqesë si sukses një projekt që vazhdon të mbetet kryesisht në letër.

Në kulmin e fushatës zgjedhore, kryeministri në detyrë publikoi një postim në Facebook për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke njoftuar se është informuar për ecurinë e hartimit të Master Planit dhe duke lavdëruar punën e konsorciumit ndërkombëtar që po merret me projektin.

Nga postimi i Kurtit krijohet përshtypja e një projekti që po ecën me ritëm dhe po prodhon rezultate konkrete. Por faktet tregojnë një histori krejt tjetër.


POSTIMI

Qeveria Kurti kishte premtuar qysh në vitin 2021 se do të niste punimet në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Vetë Kurti kishte bërë të ditur se deri në fund të atij viti do të ndërmerreshin hapat konkretë për realizimin e projektit.

Sot jemi në vitin 2026. Kanë kaluar më shumë se pesë vjet nga ato premtime, ndërsa në terren ende nuk ka ndodhur transformimi i paralajmëruar. Projekti vazhdon të endet ndërmjet planeve, konkurseve, ankesave, rivlerësimeve dhe procedurave administrative.

Madje, rrugëtimi i këtij projekti është shoqëruar edhe me dyshime serioze për shkelje procedurale. Në vitin 2023, Organi Shqyrtues i Prokurimit u detyrua të pezullojë procedurën për Master Planin e Kompleksit Memorial pas ankesës së njërit prej operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në konkurs.

Kompania ankuese pretendonte se ishin shkelur rregullat themelore të konkursit anonim. Sipas pretendimeve të paraqitura, një operator kishte zbuluar identitetin e tij gjatë procesit, por pavarësisht kësaj ishte lejuar të vazhdonte garën.

Ankuesit e cilësuan këtë si shkelje flagrante të procedurave dhe kërkuan rivlerësim të procesit. Pra, projekti që duhej të ishte shembull i transparencës dhe profesionalizmit u përfshi në konteste që përfunduan deri në OSHP.

Megjithatë, këto probleme nuk përmenden askund në postimin e fundit të Kurtit. Ajo që mungon gjithashtu në postimin e kryeministrit është një shpjegim i thjeshtë për qytetarët se çfarë është realizuar konkretisht në këto pesë vjet?

Pra, pas pesë vitesh qeverisje, projekti vazhdon të jetë kryesisht në fazën e planifikimit. Ironia bëhet edhe më e madhe kur kujtohen fjalët që Kurti përdorte dikur kundër kundërshtarëve politikë.

Kur ishte në opozitë, vonesat, tenderët e kontestuar dhe problemet procedurale konsideroheshin dëshmi të keqqeverisjes. Sot, kur të njëjtat probleme shfaqen në një nga projektet më simbolike të shtetit, ato zëvendësohen me postime promovuese në rrjetet sociale.

Dhe koha e këtij publikimi nuk duket aspak e rastësishme. Postimi vjen pikërisht gjatë fushatës zgjedhore, në një moment kur qeveria ka nevojë të prezantojë projekte dhe rezultate para qytetarëve.

Por Kompleksi Memorial “Adem Jashari” mbetet një shembull ku propaganda politike po ecën dukshëm më shpejt sesa vetë realizimi i projektit.

Deri më sot, pavarësisht premtimeve të mëdha, deklaratave patriotike dhe ekspozimit publik të projektit, bilanci i qeverisë për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” mbetet i varfër, me shumë premtime, shumë procedura dhe ende shumë pak punë të prekshme.

Gazeta në vazhdimësi ka raportuar për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.