Lajme Shqipëri

E dhimbshme: Ky është polici që u vra në krye të detyrës në Shqipëri

Efektivi i Policisë në Shqipëri Enea Mekolli është vrarë në krye të detyrës dhe një tjetër ka mbetur i plagosur gjatë një operacioni për kapjen e një personi të shumëkërkuar.

Polici mbeti i vdekur gjatë operacionit për arrestimin e Violand Braçellari, i shpallur në kërkim dhe i dënuar në mungesë për afro 10 vjet.

Në shkëmbimin e zjarrit mbeti i plagosur edhe polici Edison Adri, i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Edhe Policia e Korçës ka dalë me njoftim zyrtar pas ngjarjes së rëndë në Maliq, ku mbeti i vrarë Enea Makolli.

“Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç. Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor E. M., 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor E. A., 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.