Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në bregdetin e Shqipërisë, saktësisht tek Rana e Hedhur, ku mbeten të vdekur dy të rinj nga Kosova, ndërsa mbeten të lënduar tre të tjerë të cilët janë duke vazhduar të marrin trajtim mjekësor.
Policia e Lezhës doli me detaje se si ndodhi tragjedia, ku u përfshin 5 shokët.
Sipas të dhënave paraprake, të rinjtë janë futur për t’u larë në det, por janë përballur me kushte të rrezikshme detare dhe janë marrë nga dallgët, duke rrezikuar mbytjen.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të qytetarëve me mjete lundruese Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare dhe Policisë së Lezhës, u bë e mundur nxjerrja e pesë personave nga uji. Ata u transportuan me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Lezhës për trajtim mjekësor.
Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhet se menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Kufitare, Policia Vendore e Lezhës dhe ekipet e emergjencës.
“Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore”, thuhet në njoftim.
Në anën tjetër, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, ka vizituar tre të rinjtë kosovarë që po marrin trajtim mjekësor pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në plazhin e Ranës së Hedhun në Shëngjin.
Sipas ambasadorit Durmishi, gjendja e tre të rinjve është e stabilizuar dhe ata vijojnë të jenë nën kujdesin e vazhdueshëm të bluzave të bardha në urgjencën e Lezhës.
“Gjendja e tyre ishte shumë e mirë. Fati i tyre. Ngjarje shumë tronditëse, por ne jemi këtu të bëjmë atë nqë duhet bërë, për të informuar familjarët e dy viktimave”, u shpreh ambasadori.
Ngushëllime për viktimat ka shprehur edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
