Kosovë Lajme

10€ Taksa e Përrpës – Komuna e Prishtinës: Veturat nga komunat e tjera mund të paguajnë 1 ose 2 euro për qarkullim në qendër

Pas debatit të krijuar rreth mundësisë së vendosjes së një tarife prej 10 eurosh për hyrje në Prishtinë, Drejtori për Zhvillim Ekonomik dhe Inovacion në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha, doli me sqarime lidhur me masat që po shqyrtohen.

Sipas tij, nuk parashihet një pagesë e tillë për qytetarët që vijnë nga komunat apo shtetet e tjera. Ai bëri të ditur se në fazën fillestare po shqyrtohet aplikimi i një tarife prej 1 deri në 2 eurosh vetëm për automjetet që nuk janë të regjistruara në kryeqytet dhe që qarkullojnë në zonën qendrore.

Braha theksoi se masat do të fokusohen edhe te mjetet që ndikojnë më shumë në ndotjen e ajrit. Në këtë kategori përfshihen automjetet e tonazhit të rëndë, si dhe autobusët më të vjetër, për të cilët pritet të aplikohen tarifa më të larta.

“Në këtë fazë pritet që vetëm zona qendër të ketë një taksë për hyrjen e veturave që nuk janë të regjistruara në Prishtinë. Taksa, siç e keni dëgjuar edhe nga kryetari, do të jetë 1 ose 2 euro. Ndërsa për kamionët apo autobusët e vjetër, që shkaktojnë ndotje të madhe, do të ketë taksa pothuajse ndëshkuese”, deklaroi Braha