Lajme Shqipëri

Alarm në Ksamil: Skafi futet mes pushuesve dhe injoron urdhrin e Policisë Kufitare

Një incident i rrezikshëm është regjistruar në Ksamil, ku një mjet lundrues ka hyrë në zonën e notimit, duke rrezikuar sigurinë e pushuesve që ndodheshin në plazh.

Sipas njoftimit të Policisë Kufitare, skafi ka shkelur tapat kufizuese që ndajnë zonën e lundrimit nga ajo e dedikuar për pushuesit. Menjëherë pas konstatimit të shkeljes, efektivët i kanë dhënë sinjal drejtuesit të mjetit për të ndaluar, por ai nuk i është bindur urdhrit të policisë për verifikimin e dokumentacionit.

Pas verifikimeve të kryera, autoritetet kanë konstatuar se biznesi në pronësi të drejtuesit të skafit disponon edhe 10 mjete të tjera lundruese, të cilat aktualisht po i nënshtrohen kontrolleve nga strukturat përkatëse.

Policia Kufitare ka bërë të ditur se kontrollet përgjatë vijës bregdetare do të intensifikohen dhe do të zhvillohen në mënyrë të përditshme gjatë sezonit turistik, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit.

Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë në zonat e plazhit, veçanërisht në prag të fluksit të madh të turistëve gjatë verës.