Botë Lajme

Trump e mbyll takimin për Iranin në Shtëpinë e Bardhë pa shpallë një vendim për marrëveshje

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zhvilloi të premten një takim me këshilltarët e tij më të lartë për të marrë një “vendim përfundimtar” lidhur me një kornizë për zgjatjen e armëpushimit me Iranin, por takimi përfundoi pa qartësi mbi hapat e ardhshëm.

Ai tha se Irani duhet të pranojë që të mos zotërojë kurrë armë apo bombë bërthamore, që Ngushtica e Hormuzit të rihapet për “qarkullim të pakufizuar të anijeve në të dy drejtimet” dhe që çdo minë e vendosur në këtë rrugë ujore të “shkatërrohet”.

Takimi u mbajt në Dhomën e Situatave (Situation Room) në Shtëpinë e Bardhë, e cila përdoret për menaxhimin e krizave të mëdha. Më herët, Irani kishte deklaruar se nuk po negocionte për programin e tij bërthamor, për të cilin këmbëngul se ka qëllime vetëm civile, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Të enjten, sipas zyrtarëve amerikanë, të dy vendet kishin rënë dakord për një kornizë marrëveshjeje – të njohur si memorandum mirëkuptimi – në pritje të miratimit nga Trump dhe udhëheqja iraniane.

Marrëveshja do të zgjaste armëpushimin për 60 ditë dhe do të niste bisedime për të ardhmen e programit bërthamor të Iranit.

“Presidenti Trump do të bëjë vetëm një marrëveshje që është e mirë për Amerikën dhe që respekton vijat e tij të kuqe. Irani nuk mund të ketë kurrë armë bërthamore”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CBS Neës.

Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 8 prill, Trump ka sugjeruar vazhdimisht se SHBA-ja dhe Irani janë pranë një marrëveshjeje dhe se negociatat po përparojnë, por deri tani nuk ka pasur rezultate konkrete.

Në një postim në rrjetet sociale të premten, Trump tha se ishte i gatshëm të hiqte bllokadën detare amerikane në Ngushticën e Hormuzit, duke u mundësuar anijeve të bllokuara aty “të fillojnë procesin e kthimit në shtëpi”.

Ai gjithashtu këmbënguli që Irani t’i lejojë SHBA-së të largojë dhe të shkatërrojë uraniumin e pasuruar që zotëron.

Më vonë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi për BBC-në se takimi në Dhomën e Situatave kishte përfunduar. Zyrtari nuk dha detaje të tjera.