Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar 29 organizata për vëzhgimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.
Ndërkohë, dy organizatave u është refuzuar akreditimi. Sipas arsyetimit të dhënë, njëra prej tyre nuk zhvillon aktivitete që lidhen me procesin zgjedhor apo me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Për këtë arsye, u rekomandua dhe më pas u miratua vendimi për refuzimin e akreditimit.
Sa i përket organizatës “Odbor za kontrolu i opservaciju”, u theksua se në dokumentacionin e statutit të saj Kosovës i referohet me termin “Kosovo i Metohije”, formulim që konsiderohet në kundërshtim me rendin kushtetues dhe juridik të Kosovës. Si rezultat, akreditimi i kësaj organizate u refuzua me 9 vota pro dhe një abstenim.
Pas kësaj pike, mbledhja e KQZ-së vazhdoi me shqyrtimin e rekomandimit për pezullimin e partisë politike të regjistruar “Eko-Levizja e Gjelbër” (ELGJ). Sipas njoftimit, ky subjekt politik ishte i obliguar të mbante kuvendin e tij zgjedhor më 25 maj 2026, por zyra përkatëse nuk ka pranuar asnjë njoftim lidhur me mbajtjen e këtij kuvendi.
Për këtë arsye, Zyra i rekomandoi KQZ-së pezullimin e subjektit politik, duke i mundësuar atij që të aplikojë dhe brenda 45 ditëve të organizojë kuvendin zgjedhor. Gjithashtu, u rekomandua që nëse kuvendi nuk mbahet brenda afatit prej 45 ditësh, partia politike të çregjistrohet.
Pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim, KQZ-ja miratoi vendimin për pezullimin e kësaj partie politike.
