Kosovë Lajme

Kurti ndan ‘vitra’ edhe për mërgimtarët, 2 milionë euro për fluturimet e tyre drejt Kosovës

Ani pse kryeministri në ikje, Albin Kurti, u kritikua mjaftueshëm për ndarjen e parave në kohë fushate për kategori të ndryshme, ai ka vazhduar me këtë avaz, veçse tashmë ka vendosur të subvencionojë mërgimtarët.

Ai në mbledhjen e Qeverisë të martën mbrëma ka vendosur të ndajë 2 milionë euro, siç u tha, për zbatimin e Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës” të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për mbështetjen e linjave të fluturimit për destinacionet që shërbejnë mërgatën tonë.

Po gjatë kësaj mbledhjeje, qeveria në detyrë ka vendosur të ndajë 8 mijë euro për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës për pjesëmarrjen në Olimpiadën e 67-të të Matematikës 2026, e cila do të mbahet më 21 korrik 2026 në Shangai të Kinës;

“Për subjektin kërkues ‘Kosova Global Talent Center’, ndahen mjete buxhetore në vlerë prej 70,876.79€ (shtatëdhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e gjashtë euro e shtatëdhjetë e nëntë cent), për pjesëmarrjen e 26 nxënësve në finalen e NEO Science Olympiad, e cila do të mbahet në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në muajin korrik 2026; për Shoqatën e Kimistëve të Kosovës, ndahen mjete buxhetore në vlerë prej 3,500€ (tremijë e pesëqind euro) për pjesëmarrjen në Olimpiadën Ndërkombëtare të Kimisë 2026, që do të mbahet nga data 10 deri më 19 korrik 2026 në Tashkent të Uzbekistanit”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Një vendim të tillë për ndarje të shtesave Kurti e mori edhe gjatë të premtes së kaluar, veçse dalloi koha, atëherë e mori herët në mëngjes.

Me atë vendim, Kurti ndau nga 100 euro për fëmijët, për pensionistët, për punëtorët e sektorit privat si dhe për studentët, vendim ky që nga aktorë politikë e aktorë të shoqërisë civile u konsiderua blerje e votave në kohë fushate, pikërisht kur kanë mbetur edhe rreth 2 javë deri në zgjedhjet e 7 qershorit.