Botë Lajme

Trump i çon mesazh Iranit, përmend edhe Obamën

Donald Trump ka dërguar një tjetër mesazh të fortë ndaj Iranit përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, duke sulmuar edhe politikën e ish-presidentit amerikan Barack Obama ndaj Teheranit.

Trump krahasoi qasjen e administratës Obama me strategjinë që po ndjek vetë ndaj Iranit, duke përmendur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 dhe fondet që, sipas tij, iu dhanë Teheranit në atë periudhë.

“Obama dha paleta me para, tani flasin bombat”, shkroi Trump, duke theksuar se politika e tij bazohet te presioni ushtarak dhe kontrolli i plotë mbi uraniumin e pasuruar të Iranit.

Deklarata e presidentit amerikan vjen në një moment tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, pas sulmeve dhe kërcënimeve të ndërsjella në rajonin e Lindjes së Mesme.

Trump ka qenë prej kohësh kritik i marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, duke e cilësuar atë si një nga marrëveshjet më të këqija në historinë e SHBA-së.