Zyrtarë të lartë nga Irani u kthyen në vendin e tyre të martën pasi u takuan me ndërmjetësues në kryeqytetin e Katarit, Doha, ndërsa bisedimet për armëpushim midis Teheranit dhe Uashingtonit vazhdojnë.
Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ministri i jashtëm, Abbas Araghchi, dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Iranit, Abdolnaser Hemmati – “u kthyen në vend disa orë më parë”, sipas agjencisë shtetërore të transmetimit të Republikës Islamike të Iranit.
Diplomatët e Katarit dhe Iranit diskutuan kryesisht për “fondet e ngrira” të Iranit, raportoi të martën agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars. Sanksionet shkatërruese të SHBA-së dhe dhuna rajonale kanë përkeqësuar krizën ekonomike në Iran, me Teheranin që kërkon zhbllokimin e menjëhershëm të miliarda dollarëve të aseteve të ruajtura në bankat jashtë shtetit. Nëse Teherani dhe Uashingtoni bien dakord me marrëveshjen e propozuar, 24 miliardë dollarë asete iraniane mund të lirohen, tha të martën agjencia gjysmëzyrtare iraniane Tasnim. Por një zyrtar i lartë i administratës amerikane i tha CNN të dielën se zhbllokimi i aseteve iraniane do të ndodhë vetëm pasi të rihapet Ngushtica e Hormuzit.
Delegacioni i Teheranit zhvilloi bisedime “përgjithësisht pozitive” në Doha, tha Tasnim, ndërsa palët negociuese po sqarojnë pikat kyçe ngërçuese në një memorandum të propozuar për të ndaluar dhunën e shkaktuar nga sulmet SHBA-Izrael në fund të shkurtit.
