Kosovë Lajme

Vjosa Osmani: Pajtohem edhe me votat e VV-së për Presidente, përveç Listës Serbe!

Kandidatja e LDK-së për deputete dhe e propozuar për Presidente të Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se synon të zgjidhet presidente me konsensus të gjerë politik, duke mos përjashtuar as votat e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në emisionin “Click” në RTV 21, të moderuar nga Arbër Vllahiu, Osmani tha se sa më e madhe të jetë përkrahja e qytetarëve, aq më shpejt Kosova do ta ketë institucionin e Presidentit.

“Sa më e madhe përkrahja e qytetarëve të Kosovës aq më shpejt do të kemi zgjedhjen e institucionit të Presidentit. Presidenti konsensual do të jetë. Konsensual nënkupton që përderisa edhe partitë e tjera pajtohen dhe arrihen 80’të vota”, deklaroi Osmani.

Ajo theksoi se kandidatura e saj tejkalon kufijtë partiakë, ndonëse vjen nga LDK-ja.

“Unë jam kandidate e LDK’së për deputete, por kandidatura do të thotë se shkon shumë përtej ngjyrimeve partiake. Prandaj ne kemi arritur marrëveshje bashkëpunimi që të kandidojë për presidente dhe kjo kandidaturë pastaj të paraqitet para partive tjera”, u shpreh ajo.

Osmani insistoi se një president konsensual nuk nënkupton president apartiak, por pajtim politik ndërmjet subjekteve në Kuvend.

“Presidenti konsensual nuk është president apartiak. Konsensusi nënkupton pajtim”, tha ajo.

E pyetur drejtpërdrejt nëse ky pajtim përfshin edhe votat e Lëvizjes Vetëvendosje, Osmani u përgjigj se synon mbështetjen e të gjithë deputetëve, me përjashtim të Listës Serbe.

“Pajtim me të gjitha votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke përjashtuar pra Listën Serbe”, deklaroi Osmani, duke lënë të kuptohet se pajtohet edhe me votat e VV-së për zgjedhjen e saj presidente.

Ndërkaq, në pyetjen nëse i beson Albin Kurtit se mund t’ia japë votën për presidente, Osmani tha se zgjedhja duhet parë si mundësi për stabilitet institucional.

“Do të duhej të zgjedh mes dhënies së një shansi Republikës së Kosovës, që të ketë vazhdimësi të punëve të mira… dhe krizave të njëpasnjëshme”, deklaroi ajo.

VIDEO