Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të pranojnë Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, në vizitën e saj të parë në Kosovë që nga marrja e detyrës në vitin 2024.
Agjenda e udhëheqëses së BE-së nis në orën 10:00 me një takim me presidenten Haxhiu në Kabinetin e Presidentes, ku mediat do të mund të marrin pamje nga pritja zyrtare
Më pas, në orën 10:45, kryeministri Kurti do të zhvillojë takim të veçantë me Komisioneren Kos, pas të cilit do të mbahet konferencë e përbashkët për media.
Vizita e sotme realizohet tri javë para zgjedhjeve të reja në Kosovë, më 7 qershor, dhe vjen pas anulimit të një vizite të planifikuar më 12 mars, e cila u shty për shkak të zhvillimeve politike të asaj periudhe.
Komisionerja Kos ka theksuar rëndësinë e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Ajo deklaroi gjatë një takimi të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor në Bratislavë se: “Nëse nuk e integrojmë fqinjësinë tonë në Bashkimin Evropian në këtë situatë, po ta quaj, të çmendur gjeopolitike, ku për herë të parë kemi forca të jashtme destabilizuese që do të dëshironin të na shihnin të dështojmë në procesin e anëtarësimit, ato mund të ndërhyjnë dhe më pas t’i përdorin ato vende kundër nesh, ashtu siç po bën, për shembull, Rusia në Bjellorusi, duke i përdorur migrantët si armë kundër BE-së”.
