Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, raporti mes Qeverisë së Kosovës dhe mediave mbetet një nga temat më të diskutuara. Edhe pse Kosova renditet relativisht lart në rajon për lirinë e medias në vlerësimet ndërkombëtare, në praktikë janë shënuar disa raste përplasjesh, akuza për presion dhe tensione mes zyrtarëve qeveritarë dhe gazetarëve.
Rastet më të përmendura nga organizatat e mediave janë përplasjet e vazhdueshme të zyrtarëve qeveritarë me gazetarë gjatë konferencave për shtyp, ku janë raportuar tone të ashpra dhe etiketime ndaj mediave pas publikimit të hulumtimeve për tenderë publikë, çështje të energjisë dhe vendimmarrje institucionale. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar disa herë duke e cilësuar këtë gjuhë si presion dhe jo të denjë për zyrtarë publikë.
Një nga rastet më të përfolura lidhet me deklaratat e kryeministrit Albin Kurti në shtator të vitit 2024, gjatë Presidiumit të Internacionales Socialiste në Nju Jork. Ai deklaroi se “regjimi i vjetër po shpërndan para te media të caktuara” për të prodhuar “lajme të rreme dhe dezinformata”, në kontekst të raportimeve për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
“Regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista. Të frikësuar nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që është në proces të bërjes, ata synojnë të frikësojnë edhe të tjerët po ashtu, duke shpërndarë para tek media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata. Kështu, kur ne problematizojmë çështjen e lajmeve të rreme e dezinformatave, ndoshta është mirë të ndjekim edhe udhëzimin e vlefshëm amerikan ‘’me i ndjekë paratë’’, për shkak se këta që krijojnë lajme të rreme e dezinformata, nuk e bëjnë këtë në baza vullnetare. Dikush, diku, disi i paguan për këtë, dhe kjo përbën aktivitet kriminal e illegal të cilin ne, si shtete socialiste e socialdemokrate, duhet ta ndjekim”, kishte deklaruar Kurti.
Pas kësaj, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagoi duke thënë se kryeministri po minon kredibilitetin e mediave pa ofruar fakte konkrete.
Tensione të reja u shënuan edhe në dhjetor të vitit 2024, kur Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm deklaroi se “mediat për çdo sulm e agresion të Serbisë ndaj shtetit tonë, fajtorin çdoherë e gjetën tek qeveria jonë, por asnjëherë tek Serbia”.
Ai shtoi gjithashtu se “kurrë nuk kanë qenë më shumë media kaq shumë kundër qeverisë sesa në këtë katër vjeçarin tonë”, duke e lidhur këtë me faktin se “ne nuk i paguajmë” dhe se mediat nuk frikësohen më nga pushteti.
“AGK-ja e dënon fuqishëm këtë gjuhë ofenduese dhe shumë të rrezikshme të Kryeministrit Kurti, që i rendit mediat e Kosovës përkrah Serbisë. Një fjalor i tillë i papranueshëm, që vjen nga kreu i Qeverisë, direkt vë në rrezik sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias”, thuhej në reagimin e AGK’së.
Në një tjetër paraqitje publike në vitin 2025, Kurti deklaroi se “kurrë nuk ka pasë më shumë dezinformata”, duke shtuar se sot ekziston një “mjegull dezinformative” ku shpesh opinionet paraqiten si fakte. Ai mohoi se i ka quajtur mediat e Kosovës “media të Serbisë”, duke theksuar se një deklarim i tillë kishte të bënte vetëm me një rast specifik.
Një rast që ngjalli reagim të madh ishte ai i deputetes së Lëvizja Vetëvendosje në atë kohë, Fitore Pacolli, ndaj gazetares së RTK, Blerta Foniqi-Kabashi.
Pas një interviste në RTK, Pacolli shkroi se gazetarja “kishte misionin e porositur nga jashtë” dhe se “pyetjet e saj ishin të dirigjuara”. Sipas AGK-së, ky ishte “sulm i paprecedent, personal dhe shumë i rrezikshëm” ndaj një gazetareje të transmetuesit publik.
“Kjo formë e linçimit të gazetares nga një deputete e zgjedhur është jashtëzakonisht e rrezikshme, dhe u jep platformë mijëra të tjerëve që të vazhdojnë sulmet. AGK-ja e fton deputeten Pacolli dhe të gjithë zyrtarët e tjerë që të përmbahen nga deklaratat e komentet nxitëse kundër gazetarëve, dhe në vend të kësaj të ofrojnë transparencë, duke u përgjigjur në të gjitha pyetjet e interesit publik”, vijon AGK.
Një tjetër rast i diskutuar ishte ai i gazetares Edina Avdiu, e cila në shkurt të këtij viti njoftoi se nuk i ishte vazhduar kontrata në RTK pas tri vitesh pune.
Sipas saj, kjo ndodhi pasi kishte refuzuar të lexonte një tekst për Dimal Bashë, që pretendonte se ishte shkruar “në zyret e partisë”, ditën kur ai u zgjodh kryeparlamentar. Ajo gjithashtu bëri të ditur se menaxhmenti ishte në dijeni që ishte në muajin e pestë të shtatzënisë në momentin e mosvazhdimit të kontratës.
Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Lirisë së Shprehjes, këto raste tregojnë se liria e medias nuk matet vetëm me ligje, por edhe me mënyrën se si pushteti sillet ndaj gazetarëve në praktikë.
