28 prilli është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa, pavarësisht kësaj skena politike mbetet e bllokuar pa marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës.
Partitë opozitare kanë mbyllur mundësinë e takimeve me kryeministrin Albin Kurti për arritjen e një konsensusi, ndërsa ky i fundit ka fajësuar opozitën për mungesë vullneti politik.
Në këtë situatë, po përmendet edhe opsioni i shkuarjes në zgjedhje të reja, ndërsa qytetarët kanë qëndrime të ndara për këtë çështje.
Qytetari Rexhep Rafuna për Ekonomia Online ka thënë se shkuarja në zgjedhje të reja do të ishte e papranueshme dhe “turp”, duke kërkuar që të zgjidhet presidenti brenda Kuvendit.
“Po marrja më e madhe e Allahit osht me shku apet në zgjedhje. Duhet me zgjedhë presidentin. Unë e kqyra parlamentin pramë, i ofroi LDK-së, kryetarin e kuvendit, po këta po mendojnë veç me hi në qeveri, me vjedhë edhe atë që ka mbet, edhe tjetër s’po mendojnë. Se populli u ngop me ta. Populli u lodh me halle e me derte, rryma shtrenjtë, benzini shtrenjtë, tona anët me probleme… edhe me shku apet në zgjedhje është marre për ta”, tha ai.
Rafuna ka fajësuar opozitën për situatën politike dhe ka thënë se qytetarët nuk duhet të dalin në zgjedhje në rast se ato mbahen.
“Sipas neve këtë krejt janë fajtorë… po masi e ka lypë opozita, me këmbëngulje prej mot-mot, e zhagiti parlamentin veç për me rrëzue Albin Kurtin. Fitoj edhe ma shumë, tash jo “nuk munesh me qenë kryetar”, “nuk munesh ti me atë”, po po dojmë ne me qenë kryetar, ne qysh themi jo qysh thush ti. Votat nuk i kanë, jepna nënshkrimet, po thonë merrni nënshkrimet, zgjedhni një kryetar, nuk e qesin. Unë nuk e di çka gjejnë këtu ose çfarë politike mendojnë. Po të më dëgjonte populli krejt, asnjo mos me dalë në zgjedhje se e mbarun. A është marre me u bo tri herë zgjedhjet apo katër mrenda nji viti? Kjo ka ndodhë nëse s’gaboj para disa vite ka ndodhë në Belgjikë ose Bruksel, nuk e di, katër vjet i ka zgjatë qeshtu parlamentit. Po këta nuk po e dinë këtë politikanët tonë, a janë me mend në kry, që hala shtetin s’e kanë krye”, thotë Rafuna.
Ndryshe mendon qytetari Adem Hasani, i cili thotë se në mungesë të marrëveshjes politike, zgjedhjet janë opsioni më i mirë.
“Mendimi im kishte me qenë nëse i lejohet opozitës me zgjedhë një president, pse mos me zgjedhë nga opozita? Le ta zgjedhin. Po kjo Vetëvendosja nuk po don me e zgjedhë opozita, atëherë ma mirë le të shkojnë në zgjedhje. Fajtori kryesor dihet, Vetëvendosja me në krye Albin Kurtin”, tha ai.
Hasani ka fajësuar Qeverinë për situatën politike, duke përmendur edhe një emër për president.
“S’di çka të them këtu. Ka bre njerëz shumë të mirë. Unë e kisha qitë edhe Arsim Bajramin, është një njeri akademik i shkencave, akademik është i mirë për mendimin tem. Po ka edhe tjerë plot veç kishte me qenë mas miri njo që s’është edhe partiak”, u shpreh ai. Ndërsa qytetari Ramadan Krasniqi tha se zgjidhja më e mirë do të ishte respektimi i afateve kushtetuese dhe zgjedhja e presidentit.
“Jo, më së miri ka qenë me mujtë me zgjedhë presidentin”, tha Krasniqi. Ai gjithashtu ka fajësuar opozitën për mungesën e konsensusit politik. “Jo, pushteti po mundohen boll po opozita s’po e përkrahin”, shtoi ai.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza pas mbledhjes së Këshillit drejtues të PDK-së më 20 prill tha se PDK ka treguar gatishmëri të plotë për të kontribuar në zgjedhjen e Presidentit të ri dhe në zhbllokimin e situatës politike, duke mbështetur mundësinë e një kandidati konsensual, pa asnjë kushtëzim apo kërkesë për përfshirje në bashkëqeverisje. Megjithatë, sipas tij, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual ka pamundësuar sërish zgjedhjen e Presidentit, andaj PDK e konsideron të përmbyllur kontributin e saj në këtë proces.
Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është deklaruar para gazetarëve pas takimit të fundit me kryeministrin e vendit, Albin Kurti më 20 prill lidhur me çështjen e presidentit. Abdixhiku tha se as ky takim nuk prodhoi rezultat dhe rrjedhimisht s’ka marrëveshje. “U përpoqa, provova, nuk arrita fatkeqësisht. Kurti insistonte që pozita e presidentit t’i mbetet VV-së. Unë refuzova të flasim për çdo gjë tjetër pa u trajtuar çështja e presidentit”, tha Abdixhiku.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dje para mediave ka folur përsëri për çështjen e presidentit duke thënë se nëse vendi shkon në zgjedhje Kosovës këto të fundit do t’i kushtojnë së paku 10 milionë euro.
“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja së paku 10 milionë euro ato kushtojnë, nëse shkojmë në zgjedhje të reja për shkak se nuk do të funksionojë Kuvendi do ti humbim dhjetëra milionë euro si shtet, dhe nëse shkojmë në zgjedhje të reja nuk do të kemi zgjidhje, meqenëse sërish do të na duhej të shkojmë në zgjedhje të reja, e pas atyre sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja meqenëse unë nuk e di si mund t’i kemi 80 deputet është e domosdoshme që të merremi vesh kam qenë shumë bujar me opozitën…..u takova me LDK-në, PDK-ja refuzoi takimin, thjeshtë nuk po më duken të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje”, ka thënë Kurti.
