Kosovë Kronikë Policore Lajme

“Për ne, ai ka qenë gjithmonë hero”: Jeta e Afrim Bunjakut nga kujtimet e gruas së tij

E veja e rreshterit Afrim Bunjaku, i cili u vra në detyrë kur Policia e Kosovës u sulmua në veri të vendit nga një grup i armatosur serbësh më 2023, rrëfen për kujtimet për jetën e tij. Lumnije Bunjaku thotë se po e pret me ankth vendimin gjyqësor që do të shpallet më 24 prill ndaj të akuzuarve për sulmin në Banjskë, ku vdiq bashkëshorti i saj, i shpallur Hero i Kosovës.

Trim dhe patriot.

Këto janë dy fjalët e vetme që Lumnije Bunjaku thotë se e përshkruajnë më së miri burrin e saj, policin Afrim Bunjaku, i cili u shpall Hero i Kosovës pasi u vra në detyrë kur një grup i armatosur serbësh e sulmuan atë dhe kolegët e tij, në vitin 2023.

“Nganjëherë them: Vetëm një herë po të më kishte hidhëruar, do t’ia kisha kujtuar”, shprehet Lumnija, teksa sheh fotografinë e tij të madhe me shirit të zi, që zë vendin kryesor në dhomën e ndejës në shtëpinë e familjes.

Ajo thotë se kishte frikë nga rreziqet e profesionit të cilin burri i saj e synonte, që nga koha kur u martuan, 30 vjet më parë.

Por, siç kujton Lumnija, ishte një pasion që nuk kishte si të mos e përkrahte.

“E ka dashur këtë profesion gjithmonë. Thonë se edhe si fëmijë, kur e kanë pyetur në shkollë se çfarë dëshironte të bëhej, ai thoshte: ‘Dua të bëhem polic’”, kujton ajo.

Kjo dëshirë, Afrim Bunjakut iu plotësua në vitin 2001, kur nisi punën si polic i Kosovës.

Gjatë gjithë jetës së tyre të përbashkët, çifti Bunjaku, së bashku me prindërit e Afrimit, dhe katër fëmijët e tyre, jetuan në Samadrexhë të Vushtrrisë.

Fshati ndodhet rreth gjysmë ore larg nga zona e veriut të Kosovës, ku tensionet ndëretnike ishin të vazhdueshme që nga përfundimi i luftës së vitit 1999.

Kjo zonë, e banuar me shumicë serbe, në vazhdimësi ka kundërshtuar njohjen e autoriteteve të Kosovës, ndërsa tensionet atje kulmuan më 24 shtator të vitit 2023, me një sulm të armatosur ndaj Policisë në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Bunjaku.

Sipas autoriteteve të Kosovës, me këtë sulm u tentua të aneksohej pjesa e veriut të vendit.

“Sa herë që ndodhte diçka andej [në veri], sikur ma ndiente zemra, thosha se do ta dërgojnë Afrimin atje. Ai ka qenë gjithmonë i gatshëm, s’ka përtuar asnjëherë të shkojë”, tregon Lumnija për REL-in.

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, rreshteri Bunjaku ishte në patrullën e parë reaguese të Policisë, në fshatin Banjskë.

Në gjithë përleshjen mes sulmuesve dhe policëve, që zgjati disa orë, atë ditë po ashtu u plagosën katër policë të tjerë. Tre nga sulmuesit u vranë.

Trimëria dhe përkushtimi i Bunjakut në punë, ndonëse e bëjnë krenare, për Lumnijen ishin shpesh edhe burim i ankthit.

“Ai kurrë në jetë nuk është frikësuar. Më besoni, kur ai shkonte [në veri], mua ma ndiente zemra se ai do të shkonte [dhe do të reagonte] i pari. I thosha: Afrim, pashë Zotin, kur të ndodh diçka, mos vrapo ti i pari [të reagosh]”, rrëfen 52-vjeçarja.

“Nëse e kanë vrarë Afrimin, më vrisni edhe mua”

Para sulmit në Banjskë, siç kujton Lumnija, burri i saj kishte disa muaj që shërbente në zonën e veriut.

Ajo thotë se kishte filluar të mësohej me këtë rutinë, dhe se ankthi i përditshëm po i zbehej.

Por, kjo ndryshoi natën e 24 shtatorit, ndonëse nuk ishte në dijeni se çfarë po ndodhte në veri.

“…Nuk më mori gjumi deri rreth orës 3. Më pastaj, më kishte marrë gjumi i thellë. U mbush oborri me policë, mjekë. Trokitnin në derë. Dola poshtë”, kujton Lumnija për REL-in.

“Iu thashë: Nëse e kanë vrarë Afrimin, më vrisni edhe mua”, shprehet ajo, me zërin që i dridhet, teksa luhat shikimin nëpër dollapin e mbushur me fotografi, mirënjohje e kujtime nga jeta e burrit të saj.

Vdekjen e burrit, Lumnija thotë se e pati shumë vështirë ta pranonte.

Ajo kujton si në mjegull kur, disa ditë më vonë nga ngjarja, bashkëshorti i saj u shpall Hero i Kosovës.

“Në ato ditët e para, të them të drejtën, as nuk kam ditur çfarë është heroi… Pas një kohe, sigurisht kemi pasur vizitorë të shumtë, na kanë dhënë edhe shpresa. Normalisht që na lehtësohej dhimbja. Por, në atë fillim…. Nuk e di”, shpjegon Lumnija.

Me kalimin e kohës, e veja e rreshterit Bunjaku thotë se filloi të gjente më shumë forcë, së bashku me fëmijët, që mërzinë ta zëvendësonin me kujtimet e mira të tij.

“Tash, vetëm një grimë, kemi filluar të adaptohemi [me realitetin]. Thonë se koha shëron plagët, por vështirë ka qenë shumë”, tregon ajo.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 individëve për rastin Banjska.

Ndaj tre prej tyre, të cilët ndodhen në paraburgim, Gjykata Themelore në Prishtinë do ta shpallë aktgjykimin në pasditen e së premtes, ndërsa të tjerët, që ndodhen në arrati, ka refuzuar t’i gjykojë në mungesë.

Për tre të pandehurit, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq dhe Dushan Maksimoviqit, Prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm.

“Edhe ne kërkojmë burgim të përjetshëm. Edhe pse ai [Afrimi] nuk ngjallet, por mund të jetë njëfarë lehtësimi”, thotë Lumnija.

“Hero edhe në shtëpi”

Në kohët e pakta që i kishte të lira, Afrimi, sipas Lumnijes, ishte shumë i angazhuar në shtëpi dhe në bujqësi.

“Ka pasur qejf të punonte tokat. Kohët e fundit i mbante disa pula. Deri tani i kam pasur ato pula… Nuk më janë dashur. Por, pasi i la ai [si kujtim], nuk mund t’i largoja. E ka pasur si hobi”, thotë ajo.

Për dallim nga puna në terren e burrit të saj, Lumnija ia kushtoi kohën kujdesit ndaj fëmijëve dhe shtëpisë.

Me bashkëshortin thotë se i përballuan vështirësitë e mëdha të jetës, siç ishte vdekja e djalit të tyre të parë, në një aksident në vitin 2012.

Imazhin e bashkëshortit, Lumnija thotë se tani e sheh çdo ditë tek tre fëmijët e tjerë: një vajzë dhe dy djem. Djali i saj më i vogël është 13 vjeç, ndërsa dy të tjerët janë në të 20-tat.

E veja e rreshterit Bunjaku thotë se me Afrimin kishin plane për pleqëri, që nuk dilnin përtej shtëpisë së tyre modeste në fshat.

“Ai mbillte pemë dhe thoshte që ndoshta djemtë nuk do rrinë këtu [në fshat], por kur të vijnë nipat e mbesat [do t’i shijojnë]”.

Në sytë e Lumnijes, përkushtimi i Afrimit, si bashkëshort e baba, e kishin bërë hero shumë para se të shpallej i tillë nga shteti.

“Tani na njeh krejt Kosova, por Afrimin e kanë njohur për të mirë edhe pa ndodhur ky rast. Kur e ke pyetur dikë për të, të gjithë e kanë njohur për mirë”, thotë ajo.

Policia e Kosovës vazhdon të jetë autoriteti kryesor që mban rendin në veri të vendit.

Ushtria e shtetit, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), nuk ka të drejtë të shkojë në atë zonë, sipas një marrëveshje që daton nga viti 2013, në mes të Qeverisë dhe forcave paqeruajtëse të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) – KFOR.

Në veri të Kosovës, përveç Bunjakut, në një aksion të Policisë, më 2011, u vra edhe polici Enver Zymeri. Edhe ai ishte nga zona e Vushtrrisë.