Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli ka mohuar kategorikisht pretendimin e Nehat Gecit, xhaxhait të deputetit Fatos Geci, se gjoja ai është autori i fjalimit skandaloz të nipit të tij në Kuvendin e Kosovës.
Kërçeli tha të enjten në një video të publikuar në Facebook, se dihet publikisht qëndrimi i tij për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Hagë.
“Sa i përket fjalimit, deputeti ka reaguar duke thënë se fjalimin e ka shkruar vet. Sa më përket mua, dihet publikisht qëndrimi im për krerët e UÇK-së në Hagë”, ka thënë Kërçeli.
Ish-shefi i Kabinetit të ish-Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca tha se personalisht ka marrë pjesë në protestat e organizuara për drejtësi ndaj katërshes së UÇK-së që po mbahen në Hagë.
“Kam qenë në vizitë në Hagë në vitin e parë të paraburgimit, ku kam takuar të gjithë të paraburgosurit një nga një. Në dy protestat e organizuara kam bërë thirrje publike për pjesëmarrje, e kam marrë pjesë edhe vet”, tha ai. “Lutem sot, e dje e çdo ditë që ata sa më parë të kthehen në mesin e familjeve të tyre”.
