Kosovë Lajme

Akademikët bëhen gati t’i hipin aeroplanit, për 20 bileta hapet tender 6 mijë e 500 euro

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës ka hapur tender për furnizim me bileta aeroplani për nevojat e udhëtimeve zyrtare gjatë vitit të ardhshëm. Bëhet fjalë një tender në vlerë të  6,500 eurove.  Sipas dokumentacionit të publikuar, me këto para do te bilën 20 bileta.

Akademikët e Kosovës po bëhen gati t’i hipin aeroplanit.

Në kohën kur qytetari numëron centët për një biletë pushimi, në institucionet tona fluturimet trajtohen me procedurë shkencore; tender, kamera, screenshot, menaxher kontrate dhe mbikëqyrje 24 orë në ditë. Kur niset elita, nuk mjafton vetëm pasaporta,  duhet edhe administratë e nivelit ndërkombëtar.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK) ka hapur tender për “Shërbime të transportit ajror (bileta) sipas kërkesave të ASHAK-ut”, me vlerë të parashikuar 6,500 euro dhe afat për aplikim deri më 24.04.2026.

Sipas dosjes së tenderit, gjatë periudhës njëvjeçare parashihet furnizimi me rreth 20 bileta aeroplani, për destinacione të ndryshme të botës.

Kjo i bie mesatarisht rreth 325 euro për biletë, megjithëse vetë dokumenti sqaron se kjo shumë është vetëm orientuese për vlerësim dhe jo çmim real, pasi biletat varen nga tregu dhe momenti i rezervimit.

Operatori ekonomik që fiton kontratën duhet të merret me rezervimin dhe lëshimin e aviobiletave, duke siguruar çmimin më të lirë të mundshëm. Kërkohet kombinim mes fluturimeve direkte, alternativave më të leverdishme dhe kostos më të ulët në treg.

Kompania fituese duhet të përgjigjet brenda 6 orëve nga momenti i kërkesës kur bileta kërkohet në formë elektronike. Në rastet kur nuk është e mundur dërgimi elektronik, bileta duhet të dorëzohet fizikisht në zyrat e institucionit ose direkt tek udhëtari, jo më vonë se 12 orë pas kërkesës.

Tenderi parasheh edhe një nivel të lartë gatishmërie: operatori duhet të jetë funksional 365 ditë në vit, 7 ditë në javë, 24 orë në ditë, duke ofruar persona kontakti, email dhe numra telefoni për çdo situatë.

Përveç rezervimit, kompania duhet t’i informojë menjëherë udhëtarët dhe institucionin për çdo ndryshim fluturimi, anulim, vonesë, mot të keq, rregullore të reja, greva apo ngjarje të tjera që mund të ndikojnë në udhëtim.

Por pjesa më e veçantë e këtij tenderi është mbikëqyrja teknike e procesit. Kontraktuesi obligohet të vendosë kamerë para kompjuterit, e cila duhet të xhirojë tërë procedurën e rezervimit të secilës biletë. Në incizim duhet të shihen qartë:

futja e të dhënave të udhëtarit,

kërkimi i opsioneve të ndryshme,

çmimet e paraqitura,

datat dhe itinerari,

deri tek finalizimi i biletës.

Secila biletë duhet ta ketë xhirimin e vet, përveç rasteve kur rezervohen disa bileta njëkohësisht. Nëse rezervimi bëhet jashtë orarit zyrtar (08:00–16:00) ose gjatë fundjavës, atëherë lejohen vetëm foto ose screenshot të momentit të rezervimit ku shihet çmimi.

Institucioni kërkon që çdo faturë të shoqërohet me dokumentacion të plotë: printim të biletës elektronike, dëshmi nga sistemet e rezervimit si Amadeus, Galileo, Sabre ose sisteme të ngjashme, ndërsa për rezervimet online edhe screenshot të momentit të blerjes.

Madje, ASHAK rezervon të drejtën që gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës të kryejë inspektim pa paralajmërim, për të kontrolluar nëse çmimet e faturuara përputhen me ato reale në sistemin BSP apo platformat ku është nxjerrë bileta.

Nëse konstatohet mospërputhje financiare materiale, dokumenti parasheh masa të rënda: ndërprerje të menjëhershme të kontratës dhe konfiskim të sigurimit të ekzekutimit.

Rezervimet duhet të bëhen kryesisht në klasë ekonomike, me synim kursimin maksimal. Nëse kërkohet bagazh shtesë, ndryshim ulëseje apo ndonjë modifikim tjetër, paguhet vetëm diferenca reale e shërbimit dhe jo tarifë e re administrative.

Kompania fituese duhet të emërojë edhe një menaxher kontrate, i cili do të merret me komunikimin me institucionin, mbikëqyrjen e kërkesave dhe zgjidhjen e rasteve të veçanta.

Pagesat do të bëhen brenda 30 ditëve nga pranimi i faturës së rregullt në arkivën e institucionit, ndërsa asnjë faturë nuk pranohet nëse kanë kaluar më shumë se 6 muaj nga kryerja e shërbimit.