Kosovë Kronikë Policore Lajme

Rasti i bixhozit, çka tha mbrojtja e vëllait të Faruk Mujkës para gjykatës?

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 19 të pandehurve, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit iu është caktuar të pandehurve me inicialet: A.B., D.S., N.M., B.M., R.S., A.I., B.I., B.S., F.M., M.S., B.B., A.R., A.M., N.H., D.M., A.M., Sh.A., Xh.S., F.D.

Paraburgimi sipas aktvendimit, të pandehurve u llogaritet nga data 18.04.2026, е do të zgjasë deri me datën 18.05.2026.

Në mesin e personave që do t’i vazhdohet paraburgimi është edhe Fahredin Mujka.

Avokati i të pandehurit Mujka, në seancën për caktimin e masës së paraburgimit, deklaroi se ndaj klientit të tij s’ekziston ndonjë dyshim i bazuar, meqë ekziston vetëm një komunikim që s’provon përfshirje në vepër penale.

“Mbrojtësi i të pandehurit Fahredin Mujka, Av. Ahmet Tahiri, deklaron se e kundërshton kërkesën e PTHM pasi që ndaj të mbrojturit të tij nuk ekziston dyshim i bazuar, duke theksuar se gjatë periudhës së masave të fshehta ekziston vetëm një komunikim i vetëm që nuk provon përfshirje në vepër penale. Po ashtu, i referohet deklaratës së një dëshmitari që mohon lidhjen e të pandehurit me aktivitetin e pretenduar. Thekson se i pandehuri ka vendbanim të njohur, nuk ka precedent penal dhe është i gatshëm t’i përgjigjet thirrjeve të gjykatës, andaj propozon refuzimin e kërkesës”, thuhet në aktvendimin e gjykatës.

I pandehuri Fahredin Mujka deklaroi se pajtohet me mbrojtësin e tij.

Fahredin Mujka, bashkë me , Nexhat Malokun, Arsim Islamin, Besim Islamin dhe Behxhet Sylën përmenden në dosjen e Prokurorisë se kanë pasur role operative si hapje llogarish, pranim parash dhe menaxhim i aktivitetit.