Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Projektligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, është rikthyer për shkak të sfidave globale që prekin xhepin e qytetarëve.
Projektligji, i cili është ekuivalent me ish-Projektligjin për Çmimet Tavan, nuk përbën tentim-ndërhyrje të qeverisë në tregun e lirë.
“Ngjashëm si shumë iniciativa të tjera, edhe ky ligj u pat sfiduar në Gjykatën Kushtetuese nga ana e opozitës. Dhe, ja ku jemi shumë muaj pas me kriza të reja dhe tash këto sfida e prekin edhe xhepin e qytetarëve tanë”, tha Kurti.
Ai foli për rritje të papritura të çmimeve dhe shpjegoi përmbajtjen e Projektligjit.
“Ky ligj rrit parashikueshmërinë për bizneset dhe garanton rregullat e barabarta për të gjithë aktorët në treg. Në thelb, kjo është një politikë që ndërton një ekonomi më të qëndrueshme. Ky ligj parandalon spekulimet dhe fitimet e pajustifikuara në kurriz të qytetarëve dhe më tej siguron reagim të shpejtë institucional kur tregu destabilizohet”, u shpreh ai.
“Për herë të parë krijojmë mekanizëm të pavarur, Bordin, i cili vendos mbi bazën e të dhënave dhe interesit publik e kurrsesi të interesave të ngushta”, tha Kurti.
