Blerim Sallahu, këshilltar ligjor i kryeministrit Albin Kurti, thotë se Gjykata Kushtetuese duhet të ketë parasysh, sipas tij, interesin që vendi të mos shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, ndërsa po afrohet afati kur ky autoritet përfundimtar për interpretimin e Kushteutës duhet ta shapllë aktgjykimin.
Ai shkroi në një postim në Facebook se “mosezaurimi i procedurës së paraparë në nenin 86, të Kushtetutës për zgjedhjen Presidentit, tregon qartazi se vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”.
“Kësisoj, Gjykata Kushtetuese lehtësisht mund të merr atkgjykim përmes së cilit do ta shpallë të pavlefshëm një dekret dukshëm antikushtetues që ka goditur brutalisht dhe në mënyrë kundërkushtetuese, parimet kushtetuese mbi të cilat bazohet rendi kushtetues, ndarjen e pushteteve, epërsinë e Kushtetutës, uzurpimin e kompetencave kushtetuese të pushtetit legjislativ dhe tok më të ndarjen e pushteteve”, shkroi ai.
Sallahu përmendi se kryeministri, në kërkesën e tij për për rrëzimin e dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, ka argumentar edhe për “ruajtjen e rendit kushtetues, vazhdimësinë e qeverisjes, shmangien e zgjedhjeve”.
“Pra, të gjitha këto dispozita kushtetuese kanë qenë të argumentuara thellë dhe gjerë në kërkesën tonë në mënyrë që të kontribuojmë në ruajtjen e rendit kushtetues, vazhdimësinë e qeverisjes, shmangien e zgjedhjeve që do të prodhonin pothuajse rezultat të njejtë, kursimin e buxhetit të shtetit rreth 10 milionë euro në organizim të zgjedhjeve, si dhe respektimin e stabilitetit ekonomik, financiar dhe shoqëror të vendit tonë”, shkroi ai.
“Andaj, interesi kushtetues i Gjykatës Kushtetuese përmes nxjerrjes së aktgjykimit përkatës natyrisht se do të mund t’i misherojë, përmbajë dhe mbrojë këto vlera dhe parime kushtetuese të cilat përbëjnë esencën e funksionimit demokratik, shoqëror dhe kushtetues të shtetit tonë”, shtoi Sallahu.
Presidentja Vjosa Osmani mëngjesin e 6 marsit nxori një dekret për shpërndarjen e Kuvendit pasi tha se deputetët një ditë më parë nuk kishin arritur ta zgjidhnin Presidentin e ri, “sipas afatit kushtetues”.
Ky vendim, sipas Lëvizjes Vetëvendosje u mor në kundërshtim me udhëzimet që jep Kushtetuta e vendit për një situatë të tillë. Vetë Kurti, po atë ditë, e dërgoi në Kushtetuese vendimin e presidentes, duke e konsideruar dekretin “shkelje të rëndë të rendit kushtetues”.
Gjykata Kushtetuese më 9 mars vendosi masë të përkohshme me të cilën ua ndaloi presidentes dhe Kuvendit çdo veprim deri në fund të muajit.
