Kosovë Lajme

Raste infektive në blegtori, rasti në Viti që kërkoi ndërhyrje të shpejtë!

Trembëdhjetë kafshë që kanë rezultuar pozitive me brucillozën dhe tuberkulozin e gjedhit janë asgjësuar sot në një fermë në Lubishtë të Vitisë, në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive tek kafshët.

Lajmin e ka bërë të ditur Bafti Murati, udhëheqës i sektorit të Shëndetit të Kafshëve në Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, i cili theksoi se rasti ishte identifikuar që në muajin dhjetor përmes analizave laboratorike të kryera nga AUV.

Sipas tij, vonesat në eliminimin e kafshëve kanë ardhur si pasojë e procedurave të tenderimit për përzgjedhjen e kompanisë përgjegjëse për asgjësim.

“Afati për ndërhyrje është rreth një muaj, por në mungesë të kontratës me operatorin ekonomik, pati vonesa. Menjëherë pas nënshkrimit të kontratës, Inspektorati Veterinar së bashku me kompaninë kanë dalë në terren dhe kanë realizuar asgjësimin”, deklaroi Murati.

Ai bëri të ditur se Agjencia zbaton planin vjetor për monitorimin e sëmundjeve të kafshëve, me fokus të veçantë tek sëmundjet zoonotike, si Bruceloza dhe Tuberkulozi i gjedhit, të cilat mund të transmetohen edhe tek njerëzit.

Ndërhyrja e sotme është realizuar në zonën e Lubishtës, ndërsa aksionet po vazhdojnë edhe në ferma të tjera në komunën e Vitisë.