Lubjanë – Ekspozita artistike “Nga Dardania në Pavarësi” hapet më 23 mars në Lubjanë, duke ofruar një rrëfim vizual të fuqishëm që ndërlidh lashtësinë e Dardanisë me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. E organizuar nga Instituti – Lidhja Shqiptaro-Europiane, kjo ngjarje kulturore sjell përpara publikut një udhëtim unik artistik dhe shpirtëror, ku historia dhe qëndresa shqiptare interpretohen përmes veprave të artit bashkëkohor.
Kuratorja e ekspozitës, Emine Jetishi, Drejtoreshë e Departamentit të Kulturës Shqiptaro-Europiane, shpjegoi se çdo punim artistik është një rrëfim vizual që dëshmon se historia nuk është e ngujuar në gurët e lashtësisë, por jeton në vetëdijen, identitetin dhe artin e Kosovës së pavarur.
“Ekspozita është një udhëtim vizual dhe shpirtëror që lidh lashtësinë e Dardanisë me identitetin modern të Republikës së Kosovës. Përmes veprave të përzgjedhura artistike, nderojmë Ditën e Pavarësisë dhe prezantojmë trashëgiminë historike, kulturore dhe artistike të Kosovës në një kontekst ndërkombëtar. Çdo punim tregon një histori unike: qyteti antik i Ulpianës, helmeta dardane që simbolizojnë vazhdimësinë historike, dhe figurat shqiptare që udhëtojnë drejt dritës së pavarësisë”, tha Jetishi.
Artistët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Astrit Rexhepi, Berat Beqiri dhe Ylber Dauti, sjellin një dimension të veçantë të përbashkët kulturor, duke lidhur përmes artit rrënjët historike me identitetin bashkëkohor.
Ylber Dauti përshkroi pjesëmarrjen e tij si një rikthim te historia dhe shpirti i pathyeshëm shqiptar:
“Kjo ekspozitë nuk është thjesht prezantim artistik, por një dëshmi e vazhdimësisë sonë historike. Arti ka qenë gjithmonë mjeti me të cilin kemi ruajtur identitetin. Të ekspozosh krah kolegëve nga Kosova dhe Shqipëria në këtë tematikë më bën të ndjehem pjesë e një mozaiku të madh, që quhet ‘shpirti shqiptar’. Mesazhi është i qartë: Qëndresa nuk është heshtje – ajo ka qenë gjithmonë forcë krijuese, edhe në periudhat më të errëta.”
Ekspozita “Nga Dardania në Pavarësi” është më shumë se një shfaqje arti; është një rrëfim vizual që lidh brezat, historinë dhe artin, duke rikujtuar fuqinë e qëndresës shqiptare dhe thellësinë e identitetit të popullit të Kosovës.


